Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush është Ylli Buleshkaj, drejtori i ri i Agjencionit Kundër Korrupsion?

Yll Buleshkaj, emri i të cilit u bë i njohur gjatë përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, ku si drejtor i Zyrës për Regjistrimin e Partive në KQZ, kishte rekomanduar që të gjithë kandidatët për deputet, të certifikoheshin përnjëherë në një pako.

Sot, Buleshkaj me 62 vota pro në Kuvendin e Kosovës, është zgjedhur drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion.

Rekomandimi i tij nuk ishte marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kishin vendosur që t’i largonin nga lista kandidatët që në tri vitet e fundit kanë pasur probleme me ligjin, duke përfshirë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Ky vendim i KQZ-së ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme.

Ylli Buleshkaj gjithashtu kishte qenë kandidat për kryeshef të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai ishte renditur i dyti pas Burim Ahmetit, i cili me 7 shtator 2020 ishte emëruar në këtë pozitë. Vetëvendosja e kishte kundërshtuar konkursin për kryeshef të KQZ-së duke thënë se konkursi ishte i parregullt.

Në institucionin që do të jetë shef, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në vitin 2021 Buleshkaj ka deklaruar se që nga data 13 gusht 2019 ka filluar punën si kryeshef i Zyrës për Regjistrimin e Partive në KQZ. Nga kjo pozitë, ai ka deklaruar se ka të hyra vjetore prej 16 mijë e 782 euro. Buleshkaj, në deklarimin e pasurisë ka shkruar se i ka tërhequr edhe 10% të Trustit, që në numra i bie 2 mijë e 484 euro.

Ylli Buleshkaj ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka dy banesa. E para 49 m2 në vlerë 42 mijë euro, që sipas deklarimit e ka blerë në vitin 2010. E dyta e ka sipërfaqen 84 m2, e ka blerë në vitin 2014 dhe vlera e saj është 75 mijë euro. Në vitin 2015, Buleshkaj e ka blerë edhe një vend-parking për makinën e tij, në vlerë 5 mijë e 500 euro, që e ka deklaruar në pronësi të përbashkët.

Në vitin 2002, sipas deklarimit, Buleshkaj ka marrë një dhuratë nga babai i tij, një tokë në sipërfaqe prej 5 ari.

Po ashtu, sipas deklarimit të pasurisë, bashkëshortja e Buleshkajt ka në pronësi të sajën një veturë, që e ka blerë në vitin 2012, në vlerë 8 mijë e 250 euro.

Buleshkaj ka deklaruar se ka në bankë para të gatshme 9 mijë e 948 euro. Ndërsa 14 mijë e 400 euro ka kredi në emër të tij, 14 mijë e 850 euro kredi në emër të tij dhe të bashkëshortes dhe 8 mijë e 200 euro një kredi vetëm në emër të bashkëshortes së tij.

Ylli Buleshkaj gjithashtu ka deklaruar se me datë 27 janar 2020 në llogarinë e tij janë transferuar 22 mijë euro, në emër të kapares, për shit-blerjen e një prone në emër të babait të tij.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Buleshkaj ka deklaruar se ka edhe biznesin ‘Star Consulting & Research’ në emër të tij.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Buleshkaj përmes telefonit ka thënë se kjo kompani më nuk egziston, pasi që ka nisur procedurat për ç’regjistrim. Ai ka thënë se kompania asnjëherë nuk ka funksionuar dhe nuk ka pasur asnjë aktivitet.

“Kjo kompani nuk egziston, kanë pas nisur procedurat për regjistrim, tash janë procedurat për ç’regjistrim. Në AKK e kam deklaru, sepse patën nisur procedurat, e për shkak të tranparencës e kam deklaru, nuk ka pasur asnjë aktivitet asnjëherë. Sa për sqarim, certifikatën e regjistrimit dje e kam marr për herë të parë, se po nevojitej për ç’regjistrim, proces që ka fillu. Asnjëherë nuk ka funksionu si biznes, po thjesht për shkak të transparencës e kam deklaru”, ka ai.

Buleshkaj, para KQZ-së, ka punuar një kohë në OSBE në Kosovë si dhe në disa organizata jo-qeveritare lokale.

Mandati i tij në krye të institucionit që është krijuar për luftimin e korrupsionit në Kosovë, do të jetë 5 vjet. Buleshkaj në këtë pozitë zëvendëson Shaip Havollin, të cilit i kishte përfunduar mandati në shtator 2021.

Ylli Buleshkaj zgjidhet drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit