Foto: Facebook.com/VlodymyrZelenskyy

Kush është Volodymyr Zelenskyy, presidenti më i cenueshëm i Evropës?

Presidenti i Ukrainës është objektivi numër një i ushtrisë ruse pasi Moska deklarohet se po e kërkon ndryshimin e regjimit në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy erdhi në pushtet në vitin 2019, duke marrë udhëheqjen e vendit të shkatërruar nga lufta dhe korrupsioni prej rreth 45 milionë banorësh, pa ndonjë përvojë paraprake politike.

Si një fillestar politik, ish-aktor dhe komediani, i cili u vërshua me kritika nga kritikët e shumtë si një kukull e oligarkut ukrainas Ihor Kolomoisky, fitoi presidencën e tij duke siguruar më shumë se 73 për qind të votave, duke premtuar ta balancojë mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni rus si dhe duke i mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainë.

I lindur në qytetin industrial kryesisht rusishtfolës të Kryvyi Rih në Ukrainën qendrore, babai i dy fëmijëve shihej si më i miri për këtë pozitë në misionin e tij dhe pak pasi u bë president, e përdori diplomacinë për ta detyruar Moskën t’i shkëmbente disa grupe të burgosurish ukrainas të luftës. 

Por vullneti i mirë i presidentit rus Vladimir Putin nuk do të zgjaste edhe aq, pasi Zelenskyy nuk e ndryshoi politikën e jashtme pro-perëndimore të vendit të tij në favor të lidhjeve më të ngushta me ish padronen e saj, Moskën.

Zelenskyy viziton rajonin e Donbasit të goditur nga lufta

Vitin e kaluar, Rusia filloi të grumbullonte trupat e saj pranë kufijve të Ukrainës me pretekstin e stërvitjeve ushtarake.

Pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara për planin rus për ta pushtuar Ukrainën, Zelenskyy u përpoq ta ruante qetësinë në vend, duke u bërë thirrje ukrainasve që ta shmangin panikun.

Megjithatë, ai lëvizi nëpër kryeqytetet e Evropës, duke u përpjekur të siguronte mbështetje diplomatike, ushtarake dhe financiare për Ukrainën për ta penguar Moskën nga pushtimi.

Të enjten, më 24 shkurt, Zelenskyy u bë presidenti më i cenueshëm i Evropës, pasi Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës nga toka, ajri dhe deti.

“Një ndryshim regjimi”

Fabrice Pothier, oficer kryesor i strategjisë në konsulencën politike Rasmussen Global dhe ish-drejtor i planifikimit të politikave në NATO, i tha Al Jazeera nga Santander, Spanjë se qëllimi i Putinit ishte “kapitullimi politik” – “një ndryshim regjimi” në Ukrainë.

“Është shumë e qartë se ai dëshiron një ndryshim regjimi dhe regjimi duhet të jetë – sipas tij – dashamirës ndaj interesit të Rusisë, duke e braktisur rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE, duke pretenduar një lloj neutraliteti ose një pozicion sikurse të Finlandës”, tha ai, duke iu referuar vendimit historik të Finlandës për t’u lidhur me Evropën, por për ta shmangur armiqësinë ndaj Rusisë duke mos u anëtarësuar në NATO.

Zelenskyy gjithashtu e identifikoi veten si “objektivi numër një” i Rusisë, por ai dhe familja e tij mbetën në Ukrainë.

“Ata duan ta shkatërrojnë Ukrainën politikisht duke rrëzuar udhëheqësin e shtetit”, tha presidenti.

44-vjeçari i kritikoi gjithashtu aleatët e Ukrainës që nuk i kanë dalë në mbrojtje fizikisht vendit të tij, duke u kufizuar me mbështetje verbale, financiare dhe diplomatike.

“Ne kemi mbetur të vetëm për ta mbrojtur shtetin tonë,” tha ai në një video-fjalim drejtuar kombit pas mesnate. “Kush është gati të luftojë përkrah nesh? Nuk shoh dikë. Kush është gati t’i japë Ukrainës një garanci për anëtarësimin në NATO? Të gjithë kanë frikë.”

Përdoruesit e mediave sociale e kanë etiketuar dobësinë e tij, duke e quajtur atë “një njeri i vetmuar por i nderuar”./Al Jazeera