Pamje nga mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Kush është Vilard Bytyqi, anëtari i ri i KGjK-së?

Vilard Bytyqi u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës me 37 vota për mandat 5 vjeçar.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përbëhet nga 13 anëtarë të cilët emërohen për mandate pesë vjeçarë, 4 prej të cilëve zgjedhen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ne seancën e 13 gushtit Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjedhi dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës Driton Muharremin dhe Vilard Bytyqin.

Vilard Bytyqiështë Profesor me marrëdhenie të rregullt të punës në Fakultetin e Sigurisë Publike, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Bytyqi studimet bachelor i ka përfunduar në Fakultetin Juridik (2011).

Gjatë studimeve ka qenë tri herë bursist universitar, ndërsa për rezultate të shkëlqyeshme gjatë studimeve dy herë është shpallur “Student i dalluar”.

Studimet master i ka përfunduar në Fakultetin Juridik, në drejtimin penal (2013).

Ndërsa studimet e doktoratës nën mentorimin e Prof. Dr. Rexhep Muratit i ka përfunduar në vitin 2018 me disertacionin me titull: “E drejta për gjykim të drejtë në procedurën penale në Kosovë”.

Nga viti 2014 është zgjedhur mësimdhënës me marrëdhënie të rregullt të punës në Fakultettin e Sigurisë Publike, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe mban thirrjen akademike Profesor Asistent.

Përveç angazhimeve akademike në mësimdhënie, ka ushtruar dhe ushtron funksione të rëndësishme në kuadër të fakultetit, përkatësisht ka qenë: Udhëheqës i Grupit Punues për hartimin e kurrikulave të trajnimit profesional dhe programin Bachelor për Policinë e Kosovë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës; Përgjegjës i Departamentit (Profilit) Policor;  Anëtarë i Grupit Punues për hartimin e Strategjisë Zhvillimore të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike 2019-2022, si dhe funksione dhe përgjegjësi të tjera.

Ka qenë i angazhuar si Profesor i jashtëm edhe në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” përgjatë viteve 2016-2019.

Ka të publikuar 6 punime shkencore në revistat me recension ndërkombëtar.

I kontaktuar nga KALLXO.com Vilard Bytyqi ka thënë se pasi që nuk ka  pasur pozitë të lartë gjer më tani nuk ka psur obligim ligjor  për të deklaruar pasurinë në Agjensinë Kundër Korrupsionit.