Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush është Sërgjan Jurisheviq, malaziasi i arrestuar në Gjilan që kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar

Policia e rajonit të Gjilanit gjatë ditës ka arrestuar Sërgjan Jurisheviqin, i cili po kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar nga Mali i Zi. Ai gjatë momentit të arrestimit kishte paraqitur një letërnjoftim të Kosovës me emrin Dragan Pejiq.

Jurisheviq ka qenë truproje e liderit të grupit kriminal në Mal të Zi, Kavaç, Sllobodan Kashçelan.

Jurisheviq paraprakisht ishte arrestuar nga Policia e Malit të Zi në Tivar në vitin 2018, dhe i kishin gjetur armë që e posedonte pa leje.

Derisa, më 21 dhjetor të vitit 2022, Gjykata e lartë në Mal të Zi konfirmoi aktakuzën lidhur me rrëmbimin dhe vdekjen e Millo Radulloviqit, për të cilin akuzohen anëtarët e dyshuar të Klanit Kavaç.

Pas konfirmimit, aktakuza për vrasjen e Radulloviqit është bashkuar me aktakuzën e konfirmuar më parë për vrasjen e Nikolla Stanishiqit dhe të dyja janë nënshkruar nga ish-prokurori special Sasha Çagjenoviq, i cili së fundmi është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Sipas aktakuzës, Radulloviq ishte mbajtur në një objekt deri më 21 dhjetor 2020, kohë gjatë të cilës Belivuk, Milkoviq, Kashçelan, Zvicer, Vujotiq, Zhivkoviq, Knezheviq, Radonjiq, Vuçkoviq, Gjuroviq dhe Roganoviqi e kërcënuan që t’i jepnin para dhe informacione se cilët janë anëtarët e organizatës kriminale kundërshtare, ku kanë depo armësh dhe drogë që tregtojnë.

Gjykata theksoi se me urdhër të Kashçelanit, anëtarët e grupit të tij rrëmbyen edhe Nikolla Stanishiqin afër Kotorrit dhe e vranë pas disa ditësh torture.

Përveç Kashçelan, Gjykata akuzonte edhe një anëtar të rangut të lartë të Klanit Kavaç, Radoj Zvicer nga Kotorri, Dragan Knezheviq, Millosh Radonjiq, Sergjan Jurisheviq, Radoj Zhivkoviq (35), Vladimir Vuçkoviq, Millan Vuçkoviq, Milanujuoti (45) , Aleksandar Dragiçeviq, Zoran Kazhiq nga Kotorri.

Burime të Kallxo.com kanë bërë të ditur se i kërkuari Sërgjan Jurisheviq kishte ndërruar identitetin në Mitrovicë të Veriut, derisa kishte edhe një banesë në Leposaviq.

Arrestimi në Gjilan zbulon se bosi malazias mori identitet tjetër në Kosovë