FOTO- Al Jazeera

Kush është Robert O'Brien, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump?

Temperamenti dhe fiksimi miop i Donald Trump që rezultoi me largimin e papritur – qoftë me hatër apo me zor – të këshilltarit të tij të tretë të sigurisë kombëtare në më pak se tre vjet, është një demonstrim i gjallë se iniciativat e guximshme dhe jo të drejta të politikës së jashtme të Presidentit Trump, me gjasë janë të destinuara për të dështuar.

Kur brenda ditës e publikoi listën e tij të ngushtë të pesë kandidatëve për pozitën më të lartë për çështje të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Presidenti amerikan Donald Trump përmes llogarisë së tij Twitter deklaroi se ai zgjodhi Robert O’Brien në vend të John Bolton si këshilltar të sigurisë kombëtare.

“Unë kam punuar gjatë dhe shumë me Robertin”, tha Trump përmes Twitter në njoftimin e tij në lidhje me këtë vendim. “O’Brien do të bëjë një punë të shkëlqyeshme!”

Duke folur së bashku me Presidentin Trump pas këtij njoftimi, O’Brien tha “ne kemi një numër sfidash” dhe ishte privilegj të zgjidhesh për të shërbyer në këtë pozicion.

O’Brien, një negociues pengjesh dhe i që shihet si një njeri besnik i Presidentit Trump, ka qenë prej kohësh i pranishëm në fushën e politikës së jashtme republikane të SHBA. 

Ai aktualisht është i dërguari i posaçëm presidencial për çështjet e pengjeve në Departamentin e Shtetit dhe ka shërbyer me administratat e kaluara si dhe ka qenë këshilltar i ish kandidatëve për president.

Ndër iniciativat që duket se janë paraprakisht të dështuara e të cilat O’Brien tani do ti trashëgojë është marrëdhënia e çuditshme midis Presidentit Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong Un, pastaj konfrontimet e vazhdueshme me Kinën mbi tarifat dhe dominimin e Pekinit zyrtar në Detin e Kinës së Jugut, tërheqja e Amerikës nga një zinxhir i traktateve ndërkombëtare, përfshirë paktet bërthamore me Iranin dhe Rusinë dhe një pakt klimatik me krejt botën.

Biografia e O’Brien në faqen e internetit të kompanisë së tij të avokaturës e përshkruan atë si një avokat i cili “përqendrohet në çështje komplekse gjyqësore … në argëtim, naftë dhe gaz, teknologji, financa dhe industri të patundshmërive.” 

O’Brien ka punuar gjithashtu në pozita të ndryshme diplomatike, zakonisht prapa perdes, por sfidat me të cilat do të përballet tash e tutje, përbëjnë një provë ekstremisht të nxehtë për të.

Por O’Brien, ndryshe nga Bolton, është një zgjedhje relativisht i profilit të ulët, të paktën në sferën publike.

Trump ka qenë në kërkim të një këshilltari të ri të sigurimit kombëtar qysh kur me 10 shtator e largoi nga detyra Boltonin, këshilltarin e tij kryesor për politikë të jashtme, duke thënë se ai “nuk pajtohej” me këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare për çështje të shumta.

Bolton, raportohet se kishte mospajtime me presidentin Trump në lidhje me vendimet e tij  me Venezuelën, Korenë e Veriut dhe Iranin.

Për dallim nga paraardhësi i tij, emërimi i Robert O’Brien është parë gjerësisht në Uashington si një fitore për sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, i cili kishte kishte qenë në një garë me Bolton për të qenë një lloj cicëroni sa më i afërt i presidentit.

Para se të fillojë punën në administratën Trump, O’Brien kishte një karrierë kryesisht të profilit të ulët në administratën amerikane. Ish presidenti George W Bush e dërgoi atë si përfaqësues në asamblenë e përgjithshme të KB në vitin 2005 dhe ai u përfshi në reformën gjyqësore në Afganistan në vitin e fundit të administratës së Bush.

Në vitin 2016, ai publikoi një koleksion të eseve mjaft agresive për politikën e jashtme, me titull “Derisa Amerika flinte: Rikthimi i lidershipit amerikan ne një botë krizash”, e cila ishte shumë kritike ndaj administratës së Obamës.

Emërimi i O’Brien nga presidenti Trump vjen menjëherë pas njoftimit se administrata Trump do të vendoste sanksione të reja të paspecifikuara mbi Iranin si përgjigje ndaj sulmit të së shtunës në objektet e naftës saudite.

O’Brien ka qenë i angazhuar si negociator i pengjeve dhe ka të ngjarë se pikërisht kjo punë e tij  ishte dukur e dobishme për presidentin Trump duke pasur parasysh aftësinë dhe gatishmërinë e O’Brien për të negociuar me kundërshtarët e SHBA.

Trump tha se ai kishte qenë i impresionuar me punën e O’Brien për nxjerrjen e amerikanëve të mbajtur në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.

Në prill të këtij viti, Trump citoi O’Brien të thoshte: “Presidenti Donald J Trump është negociatori më i madh i pengjeve që unë njoh në historinë e Shteteve të Bashkuara. 20 pengje, shumë në rrethana të pamundura, janë liruar në dy vitet e fundit. Asnjë para nuk u pagua për këtë rast ”.

O’Brien përfaqëson një ndërrim stili – por jo domosdoshmërisht edhe një ndrrim ideologjik – krahasuar me diplomatin të cilin do ta zëvendësojë, pra John Boltonin. 

Njerëzit të cilët kanë punuar me O’Brien e përshkruajnë atë po aq agresiv sa edhe paraardhësi i tij për çështje të tilla si Irani, por për dallim nga Bolton, O’Brien njihet për mprehtësinë e tij të një luftëtari burokratik. 

Ndryshe nga Bolton, O’Brien, një avokat karriere, përpara se të fillojë punën në administratë, nuk kishte një emër me nam në botën e inteligjencës dhe sigurisë amerikane. 

Kolegë të tij, me të cilët ka punuar, e përshkruajnë O’Brien po aq agresiv dhe i ashpër sa ai dhe i së njëjtës shkollë si Boltoni kur bëhet fjalë mbi Iranin, duke e përshkruar atë si “agresiv”, por “më shumë si një lojtar ekipor, porse jo edhe të guximshëm sa Boltoni.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit vitin 2016, O’Brien u shfaq si një këshilltar për politikë të jashtme të kundërshtarëve të Trump, Scott ëalker dhe Ted Cruz, katër vjet pasi ai e kishte këshilluar fushatën e Mitt Romney për të njëjtat çështje.

Në vitin 2018, O’Brien negocioi në lirimin e pastorit amerikan Andreë Brunson, burgimi dy vjeçar i të cilit në Turqi rriti tensionet midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Në fillim të këtij viti, O’Brien luajti gjithashtu një rol në lirimin e amerikanit Danny Burch i cili u burgos në Jemen. Burch ishte duke punuar për një kompani të naftës kur u rrëmbye në vitin 2017.

O’Brien ka një diplomë juridike nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley. Para se të marrë  diplomën si jursit, O’Brien kishte studiuar shkencat politike në Universitetin e Kalifornisë, në Los Angeles.

O’Brien bashkëthemeloi kompaninë e avokatisë, Larson O’Brien LLP, dhe po ashtu kishte gradën e majorit në ushtrinë amerikane. Nga  viti 1996 deri në vitin 1998, O’Brien ishte oficer i lartë ligjor në Këshillin e Sigurimit të KB, ku ai trajtoi pretendimet e qeverisë amerikane kundër Irakut pas Luftës së Parë të Gjirit. Ai më vonë shërbeu nën ish Sekretarët e Shtetit Condoleezza Rice dhe Hillary Clinton si bashkë-kryesues i partneritetit publik-privat të Departamentit të Shtetit për reformën në drejtësi në Afganistan.

Si këshilltar i Lartë i President Trump per siguri, O’Brien do të përballet me një numër krizash në Lindjen e Mesme, përfshirë përpjekjet për të ndërmjetësuar paqen në Afganistan me Talibanët, si dhe mosmarrëveshjen disadekadëshe midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Sfida më e madhe me të cilën O’Brien do të përballet do të jetë mungesa e përvojës së tij brenda administratës amerikane si dhe me procesin ndërinstitucional, duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e punës së tij do të jetë të bashkërenduarit e një procesi ndërinstitucional.

Aktualisht, administrata amerikane është në përpjekje të gjejë një strategji se si të përballet me një regjim gjithnjë e më armiqësor iranian, të cilin Trump ditë më parë e goditi me një pako të re sanksionesh vetëm pak çaste përpara se të zbulonte se ai do të merrte në pyetje O’Brien për postin e sigurisë kombëtare.

Trump gjithashtu ka dhënë shenja për mundësinë e një samiti të tretë bërthamor me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, përveç perspektivës për të arritur një marrëveshje të re të armëve me Rusinë dhe shtytjen e vazhdueshme për të mposhtur Shtetin Islamik. 

Krejt këto çështje, pa dyshim se do të kërkojnë përfshierjen e O’Brien në cilësinë e këshilltarit për siguri të presidentit Trump.