Kush është Ramadan Avdiu, konsulli i shkarkuar nga Glauk Konjufca
Ramadan Avdiu është në mesin e konsujve dhe ambasadorëve të propozuar për t’u shkarkuar nga detyra.
Avdiu aktualisht është konsull në Konsullatën e Përgjithshme në Gjenevë të Zvicrës.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, të martën ka propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentit të Kosovës nëse presidenti Thaçi do t’i përfillë propozimet e ministrit Konjufca, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Ramadan Avdiu është emëruar konsull i përgjithshëm në Gjenevë me 12 nëntor 2013.
Për t’u emëruar në këtë pozitë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Financave nga radhët e PDK-së në Qeverinë e Kosovës në krye me Hashim Thaçin.
Pasuria e Ramadan Avdiut
Postin si konsull i përgjithshëm Ramadan Avdiu ka deklaruar se e mban që nga viti 2013.
Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Avdiu ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme posedon vetëm një shtëpi në vlerë prej 300 mijë eurove të cilën ka thënë që e ka trashëgimi dhe e ka ne emër të përbashkët me bashkëshorten.
Avdiu ka deklaruar se posedon një veturë të vlerë prej 5 mijë eurove dhe e ka blerë nga kursimet personale.
Ai nuk ka deklaruar të posedojë letra me vlerë ose edhe aksione në shoqërie komerciale.
Ai ka thënë ka 75 mijë euro para të gatshme në bankë, përderisa bashkëshortja e tij posedon 4 mijë e 900 euro franga zvicerane, ndërsa fëmijët e tij posedojnë në bankë 12 mijë e 200 franga zvicerane.