
Kush është Mentor Maqani, i kërkuari që u dorëzua në lidhje me rastin e Karaçevës
Mentor Maqani, i cili sot iu dorëzua forcave të rendit pas disa muaj kërkimesh si i dyshuar për organizim të lojërave të fatit e kontrabandë në rastin e Karaçevës, nuk është i panjohur për Policinë dhe Prokurorinë.
I njëjti ishte arrestuar në maj të vitit të kaluar si i dyshuar për veprat penale fajde dhe detyrim në rastin e grupit të njohur si grupi “Curri”.
Përveç Maqanit në këtë grup ishin arrestuar edhe Ismet Osmani (Curri), Ilir Bojku, e Adil Thaqi.
Të njëjtit dyshoheshin se kanë përfituar miliona përmes fajdesë, detyrimit dhe mashtrimit. Në dosjen të cilën e kishte siguruar KALLXO.com në atë kohë , thuhet se gjithçka kishte filluar në qershor të vitit 2012.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Mentor Maqani fillimisht dyshohet se gjatë vitit 2015 duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë të Faton Dalladakut kishte hyrë në marrëveshje verbale për t’ia blerë pronën 5 hektarëshe afër QMI-së (rruga Prishtinë- Lipjan), në të cilën kishte investime rreth 1 milion euro.
KALLXO.com kishte raportuar edhe në lidhje me mosmbajtjen e paraburgimit në burg të Mentor Maqanit.
Në qershor të vitit të kaluar KALLXO.com kishte raportuar se Maqani, i cili ishte ndaluar nga Policia që nga 20 maji nën dyshimin për fajde e detyrim, nuk po mbante paraburgimin.
Atë kohë KALLXO.com kishte marrë vesh se i njëjti për disa ditë nuk kishte qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku ishte përcaktuar të qëndrojë.
Burimet e KALLXO.com kishin treguar se Maqani ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të një problemi shëndetësor që i është shfaqur disa ditë pasi ndaj tij u vendos që të mbahej në paraburgim.
Në anën tjetër Mentor Maqani ka qenë i përfshirë edhe në rastin e skandalit të Krimeve Ekonomike ku u arrestuan dy hetues dhe një rreshter.
Gjithashtu në dëshmi thuhet edhe se të hetuesit policorë kanë mbajtur takime me Mentor Maqanin e një dëshmitar tjetër.
KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e Maqanit, Naim Rudari, i cili tha se procesi gjyqësor ku është i përfshirë i mbrojturi i tij, nuk ka ende epilog gjyqësor përfundimtar.