Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush është Kreshnik Gashi, drejtori i AKI-së, që u shkarkua sot?

Në fund të vitit të kaluar, Kreshnik Gashi ishte emëruar shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Në krye të Inteligjencës, Gashi erdhi nga nga pozita e kryetarit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Gashi zuri vendin e Shpend Maxhunit, i cili kishte dhënë dorëheqje.

Por, edhe Kreshnik Gashit nuk i zgjati shumë posti i kryespiunit. Pas 1 viti e 22 ditësh në krye të AKI-së atij, sot, iu kërkua largimi nga detyra. Kërkesa erdhi nga kryeministri Avdullah Hoti, në dakordin me u.d. presidenten, Vjosa Osmani. Të dy këto institucione, të cilat emërojnë dhe shkarkojnë drejtuesit e AKI-së, nuk patën ndonjë sqarim se pse u kërkua lirimi nga detyra i Gashit.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një arsyetim edhe nga ana e Zyrës së Kryeministrit, por të njëjtit nuk u deklaruan me arsyetimin se deri më tani nuk kanë asgjë tjetër për të thënë përveç asaj që është deklaruar kryeministri.

Për Agjencinë Kosovare për Inteligjencë në krye me Kreshnik Gashin këtë vit u fol vetëm kohëve të fundit.

Kjo pasi që kabineti i u.d. të presidentes Vjosa Osmani kishte raportuar në Prokurorinë Speciale se një person, i cili ishte prezantuar si inspektor i AKI-së, kishte tentuar të marrë disa dosje nga kasaforta e Presidencës, pa ndonjë leje të veçantë.

Dyshimet se nga kasaforta presidenciale u tentua të merren dosje sekrete bëri që javën e kaluar Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së ta ftonte drejtuesin e këtij institucioni në raportim.

Nga raportimi i cili zgjati disa orë, anëtarët e Komisionit nuk u përgjigjen për KALLXO.com nëse Gashi kishte treguar saktë se cili ishte roli i personit që kishte hyrë brenda Presidencës dhe ishte paraqitur si inspektor i AKI-së apo edhe nëse ky institucion qëndronte prapa kësaj ngjarjeje.

Deri më sot, ende nuk është sqaruar se çka saktësisht ka ndodhur në Zyrën e Presidencës me kasafortën prej nga dyshohet se u tentua të merreshin dokumentet, e madje edhe se si klasifikoheshin ato dokumente.

Normalisht, hapja e kasafortës mund të bëhet vetëm me lejen e posaçme të presidentit.

Vetëm tetë ditë pas mbajtjes së mbledhjes me Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, Zyra e Kryeministrit me një njoftim të shkurtë kishte thënë se kanë kërkuar lirimin nga detyra të Gashit.

KALLXO.com ka marrë një qëndrim edhe nga ana e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, më saktësisht nga anëtari i këtij komisioni, Arbër Rexhaj.

I njëjti tha në një bisedë telefonike se sot ka qenë e paraparë që Gashi të raportonte para Komisionit por i njëjti kishte kërkuar mirëkuptim 30 minuta më herët që nuk mund të raportonte nën arsyetimin se ishte në takim me kryeministrin Hoti.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kërkuar një sqarim edhe nga ana e Zyrës së u.d. të presidentes Vjosa Osmani.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina ka thënë për KALLXO.com se ka pasur një koordinim mes Osmanit e Hotit në lidhje me lirimin nga detyra të Gashit.

“Ka pasur koordinim dhe dakordim të plotë ndërmjet u.d. Presidentes, dr.Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Hoti sa i përket lirimit nga detyra të drejtorit të AKI-së . U.d Presidentja ka kërkuar nga Kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, mbi bazën e profesionalizmit, paanësisë politike dhe integritetit”, tha Kupina për KALLXO.com.