Kush është i arratisuri Adonis Gashi, ish- cimeri i qelisë së Astrit Deharit?

‘Zhdukja’ e Adonis Gashit, shokut të qelisë ku ndodhej edhe ish- aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari ka ngjallur sërish debat për misterin e vdekjes së Deharit.

Mbrëmë KALLXO.com, ekskluzivisht raportoi se Adonis Gashi, është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë.

Gashi ishte liruar më 26 shkurt të vitit 2018 nga burgu i Dubravës ku kishte kaluar pas vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit.

Burimet e KALLXO.com, kanë thënë se Gashi ishte arratisur ndërsa vend-ndodhja e tij nuk dihet ende.

Por kush ishte Adonis Gashi?

Adonis Gashi dhe shtatë persona të tjerë po akuzoheshin për planifikimin dhe vrasjen e eprorit të Policisë së Kosovës më saktësisht në Departamentin e Krimeve Ekonomike, Shemsi Gashit i vrarë më 25 mars 2015 në lagjen “Mati” të Prishtinës.

Gashi ishte dënuar në rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi fillimisht me 3 vjet e tetë muaj ndërsa ishte në liri për disa muaj pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata e shkallës së parë.

KALLXO.com pati raportuar se Gashi dhe pesë persona të tjerë ishin akuzuar për planifikim të vrasjes së Shemsi Gashit.

Në gjykimin e tetë personave në lidhje me vrasjen e rreshterit Shemsi Gashi, avokatja Florie Drevinja në korrik të vitit 2017 kshte kërkuar ekzaminim psikiatrik të të mbrojturit të saj Adonis Gashi.

Drevinja ekzaminimin e kërkoi ngase kishte thënë se Adonis Gashi ishte traumatizuar pasi ndodhej në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin dhe Naser Makollin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Avokatja e Adonis Gashit, Florie Drevinja ka vdekur në mars të vitit të kaluar.

Në janar të vitit 2016, KALLXO.com raportoi se çfarë thuhej në aktakuzën e ngritur ndaj tetë personave të përfshirë në vrasjen e Shemsi Gashit.

Roli i Adonis Gashit, cimerit të qelisë së Astrit Deharit ishte në planifikimin e vrasjes së Gashit.

Motivi i vrasjes së Shemsi Gashit, sipas prokurorisë  ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit. Bëhet fjalë për një parcelë pronësore prej 40 arësh në Lagjen e Spitalit në Prishtinë të cilën e kishin trashëguar bashkërisht nga paraardhësit e tyre.

Prokuroria: Për Vrasjen e Policit u Premtuan 5 Mijë Euro

Kujtomë që një pjesë e madhe e të akuzuarve për këtë rast janë familjarë të ish eprorit të policisë Shemsi Gashit.

Aktakuza: Vrasja e Rreshterit u Planifikua në Brezovicë

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku  akuzohen nga prokuroria se planifikuan vrasjen e Shemsi Gashit.

Sipas prokurorisë ata kishin shkuar në Brezovicë ku ishin marrë vesh që me ndërmjetimin e Vesel Bunjakut t’i gjejnë personat për të kryer vrasjen e rreshterit Gashi.

Aktakuza precizon se dy javë para kësaj vrasjeje Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi pasi që kishin biseduar në telefon me Adonis Gashin janë takuar në Prishtinë me Ramadan Gashin i cili në vendtakim kishe ardhur me një xhip.

Gjithashtu aktakuza më tutje sqaron se Vesel Gjinovci e njoftoi Ramadan Gashin se pas bisedës me Adonis Gashin ka pranuar që ta kryejë vrasjen, ndërsa Ramadani i premtoi si shpërblim 5 mijë euro, kurse me automjetin e tij e dërgoi Gjinovcin deri te shkolla e fshatit Mat, duke ia treguar orarin e punës së Shemsi Gashit dhe rrugën nga ai udhëtonte në relacionin punë-shtëpi dhe anasjelltas.

Në deklaratën para prokurorisë fajësinë për përgatitjen e vrasjes së rreshterit Shemsi Gashi nuk e ka pranuar as Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Robert Gashi, Adonis Gashi dhe Vesel Bunjaku. Të gjashtët akuzohen për shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Adonis Gashi para prokurorisë sipas aktakuzës kishte thënë se në Brezovicë kishte shkuar për tu relaksuar.

Më 26 shkurt të vitit 2018, tri vite pas vrasjes së Shemsi Gashit, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendim që shtatë të akuzuarit t’i dënoj me 58 vjet burgim ndërsa njëri nga të akuzuarit u shpall i pafajshëm.

I akuzuari Vesel Gjinovci është dënuar me 9 vjet e gjysmë burg në akuzat për vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje; Kujtim Bejiqi është dënuar me 6 vjet burg; Ramadan Gashi, i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë si dhe armëmbajtje pa leje u dënua me 25 vjet; Mujë Gashi u dënua me 3 vjet burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje ndërsa u lirua nga akuza për veprën penale shtytje në vrasje të rëndë; Robert Gashit i është rikualifikuar vepra penale nga ndihmë në moslajmërim të veprës penale dhe u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa u lirua nga vepra penale armëmbajtje pa leje; Vesel Bunjaku u dënua me 7 vjet e 6 muaj ndërsa Adonis Gashi u dënua me 4 vjet burgim.

58 Vjet Burg për Vrasjen e Policit Shemsi Gashi

Pas lirimit nga burgu ndaj Adonis Gashit në shkurt të vitit 2018, saktësisht në korrik të vitit 2018, KALLXO.com kishte raportuar se Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Shemsi Gashi, ta kthejë në rigjykim.

Sipas  gjykatës së shkallës së dytë, aktgjykimi i shkallës së parë ishte në kundërshtim me faktet vendimtare lidhur me vendimin për dënim.

Sipas këtij aktvendimi të Gjykatës së Apelit, në aktgjykimin e Gjykatës Themelore ka kundërthënie ndërmjet asaj që thuhet në aktgjykim si dhe deklaratave të dhëna nga dëshmitarët.

Në rigjykimin për vrasjen e policit Shemsi Gashi, me 30 nëntor të vitit 2018, Gjykata kishte shpallur verdiktin ndaj personave të akuzuar lidhur me këtë vrasje, ku Adonis Gashi ishte dënuar me 3 vjet e 10 muaj burgim.

Cimerit të Astrit Deharit, Adonis Gashi, Gjykata e Apelit i kishte ashpërsuar dënimin për shtytje në vrasjen e policit Shemdesin Gashi, ku  dënimi nga 3 vjet e 10 muaj ishte ngritur në 8 vjet.

Apeli ashpërson dënimet për vrasjen e policit Shemsi Gashi

KALLXO.com mëson se Gjykata e Prishtinës ka kërkuar kthimin e Gashit në burg mirëpo ai nuk u është përgjigjur ftesave.

Të njëjtat burime kanë saktësuar se tashmë për Adonis Gashin Gjykata ka lëshuar një fletë-arrest ndërsa Policia e ka vënë si person në kërkim.

Gashi është në mesin e personave që duhet të intervistohet për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Deklarata e Naser Makollit: Astrit Dehari asnjëherë s’e ka përmendur se mund t’i bëjë diçka vetes

Kthehet Nga Austria Ekspertiza e Videos në Rastin ‘Dehari’