Kush është Gazmend Hoxha, drejtori i ri i Policisë së Kosovës

Pas më shumë se gjysmë viti prej kur Policia e Kosovës udhëhiqet nga një ushtrues detyre, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është votuar Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë.

Gazmend Hoxha pozita e të cilit është kolonel, u emërua sot në krye të institucionit kyç të sigurisë në Kosovë, Policinë e Kosovë.

Ky i fundit deri më tani ka mbajtur pozitën e drejtorit në Departamentin për Operacione pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë (DPP).

Për Hoxhën, para dy ditëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka treguar se e ka propozuar për pozitën që ai mori sot.

Ku dhe çka shërbeu Kolonel Hoxha?

Përvojën e tij të punës në Policinë e Kosovës, Hoxha e filloi në prill të viti 2000, e pozita në atë kohë që ai e ushtronte ishte oficer policie në stacion policor jugu në Prishtinë.

Që nga viti 2000 e deri më sot, Hoxha ka kaluar në pothuajse të gjitha gradat dhe pozitat policore, përveç asaj të drejtorit të përgjithshëm dhe të zëvendësdrejtorit.

Hoxha në vitin 2020 mori pozitën e shefit të operacioneve, të cilën e ushtroi për më shumë se dy vite.

Një vit para se drejtori i ri i Policisë të merrte këtë pozitë, në 2019 ai kishte shërbyer si Drejtor i Divizionit për siguri publike.

Para kësaj, për shtatë vite radhazi, që nga 2012-ta, Hoxha – duke e mbajtur pozitën e nënkolonelit – kishte ushtruar detyrën e drejtorit rajonal në Ferizaj, pozitë të cilën e kishte ushtruar edhe një pjesë të vitit 2009, në kohën kur Hoxha kishte gradën e majorit.

Paraprakisht përgjatë 2011-ës, në Policinë e Kosovës ai shërbente si ndihmësdrejtor i përgjithshëm i policisë për hetime, përderisa një vit më herët në gradën e majorit ai kryente punë si kryesues në departamentin kundër krimit të organizuar.

Përpos pozitës së drejtorit rajonal në Ferizaj, gjatë 2009-ës, Hoxha kishte shërbyer edhe si drejtor policor i njësive speciale.

Ai për dy vite, 2006-2008 kishte punuar në Gjilan si zëvendësdrejtor rajonal për hetime e edhe përgjatë asaj kohe ai mbante gradën e majorit, përderisa në 2005, në gradën e kapitenit Hoxha kishte shërbyer si komandant i stacionit policor veriu në Prishtinë.

Në 2004, 2003 e në 2002 Hoxha punën e tij të përditshme e kishte kryer në stacionin policor jugu në kryeqytet.

Ai në 2002 kishte shërbyer si mbikëqyrës ndërrimi në gradën e rreshterit, gradë të cilën e mbajti edhe gjatë 2003 kur shërbente në pozitën e mbikëqyrësit të njësisë mbështetëse operative, për tu graduar një vit më vonë, në 2004, në pozitën e togerit.

Pasuria e Drejtorit të ri të Policisë së Kosovës

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, tashmë drejtori i përgjithshëm i ri i Policisë së Kosovës i ka kryer vitin e kaluar obligimet e tij.

Ai më 31 mars 2022 ka bërë deklarimin e tij të pasurisë, punë e cila përcaktohet me ligj.

Hoxha në AKK si pasuri të paluajtshme vitin e kaluar ka deklaruar një banesë, një shtëpi banimi dhe tokë e mal.

Për banesën në fjalë Hoxha ka thënë se është nën pronësinë e tij, është vlerë 55 mijë euro dhe është blerë nga kursimet familjare dhe nga kredi. Ai për shtëpinë e deklaruar ka treguar se është e trashëguar, në pronësi të përbashkët dhe kushton 35 mijë euro, ndërsa për tokën dhe malin që po ashtu është e trashëguar dhe është në pronësi të përbashkët ka thënë se kushton 200 mijë euro.

Ky lloj i pasurisë që posedon Hoxha, bënë që vlera totale e pasurisë së tij të paluajtshme është gjithsej 290 mijë euro.

Në anën tjetër, si pasuri të luajtshme Hoxha ka deklaruar dy vetura në vlerë 8 mijë e 300 euro, që të dyja të nën pronësinë e tij.

Në listën e tij të regjistrimit të pasurisë Hoxha ka treguar se nuk posedon aksione në shoqëri komerciale dhe se nuk posedon ndonjë letër me vlerë.

Hoxha si para të gatshme të mbajtura në institucione financiare ka deklaruar se i ka 2 mijë e 700 euro nën pronësinë e tij. Ai ka thënë se këto para i ka përfituar nga parat e mbetura nga tërheqja e trustit pensional dhe nga të hyrat nga një fitim i një procesi civil gjyqësor.

Drejtori i Policisë i ka deklaruar edhe detyrimet financiare ndaj personave juridik dhe fizik duke treguar se si detyrim të bashkëshortes i ka 15 mijë euro në bankën Raiffeisen Bank, e që qëllimi i detyrimit është pagesa për banesë dhe është në kohëzgjatje për shtatë vite.

Ai po ashtu ka treguar se detyrime të tijat i ka 35 mijë euro në Bankën Ekonomike, ku ka thënë se qëllimi i deklarimit është pagesë për banesë dhe mbylljen e kredisë në bankën Raiffeisen, në kohëzgjatje për 15 vite.

Hoxha në rubrikën e të hyrave vjetore ka deklaruar se merr për pagë 18 mijë e 103 euro, 807 euro i merr nga Departamenti i Trajnimeve dhe Përkrahjes Arsimore dhe pagë shtesë, ku i ka përfshirë edhe orët shtesë gjatë kohës së  dhe për nevojat operative, ku ka thënë se janë gjithsej 5 mijë e 58 euro.

Të gjithë këtë shumë ai ka thënë se e merr nga Policia e Kosovës, përderisa nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i merr 1 mijë e 200 euro, pasi Hoxha e ka deklaruar vetën si përfaqësues i Policisë në këshillin kombëtar kundër dhunës dhe dukurive negative në sport.

Hoxha ka deklaruar edhe të hyrat e bashkëshortes ku a thënë se ajo nga Policia e Kosovës merr pagë prej 6 mijë e 444 euro.

Përgatitja 20-vjeçare e Hoxhës

Përgatitjen e tij profesionale, Gazmend Hoxha e filloi në 2000-tën, kur kreu kursin bazik të Policisë në Akademinë Policore në Vushtrri.

Në vitin 2009 Hoxha diplomoi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, përderisa në të njëjtin Universitet ai përfundoi masterin e shkencave juridiko-penale.

Më pas në 2019 ai mori postin e PHD CAND në Fakultetin e Sigurisë në Shkup të Maqedonisë.

Hoxha për 9 vite, nga 2002 deri në 2011 mori pjesë në disa kurse e trajnime. Ai rrugëtimin e tij e filloi në 2002 kur kreu kursin policor për mbikëqyrës e më pas edhe atë për mbrojtje të afërt.

Një vit më vonë, drejtori i ri i PK-së përfundoi kursin për menaxhim të vijës së parë dhe kursin për menaxhim të trazirave në modelin anglez.

Hoxha gjatë 2004-ës përfundoi edhe kursin e mesëm për menaxhmet, ndërsa në 2005 ai përfundoi kursin për menaxhim të trazirave, kësaj radhe në modelin danez.

Përgjatë 2005-ës ai kreu edhe kursin për gjuhë, ndërsa një vit më vonë, në 2006, kursin për të drejta të njeriut, e po ashtu përfundoi kursin për analizat e nevojat të trajnimit de kursin për grupe ndërkombëtare të hetimit.

Në 2008, Hoxha përfundoi edhe kursin për menaxhim të lartë, ndërsa pas dy viteve ani mbajti një trajnim për menaxhim strategjik dhe kreu studime të avancuara të sigurisë.

Në 2011, Hoxha përfundoi edhe kursin për lidership. Përderisa gjatë 2010 dhe 2011 ai mbajti edhe disa seminare e konferenca duke përfshirë këto konferencën e Interpolit, konferencën kundër drogave në Ballkan, ka qenë pjesëmarrës në Këshillin e Evropës për Çështje të Narkotikëve, ka marr pjesë ë seminarin për raportin e OCTN që është rrjeti i trajnimit për krim të organizuar dhe seminari për vlerësimin e kërcënimeve nga krimi i organizuar.