Pamje nga mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Kush është Driton Muharremi, anëtari i ri i KGjK-së?

Driton Muharremi, gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit dje në Kuvend u votua si anëtar i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2001.

Provimin e Jurisprudencës e kishte kryer në vitin 2003 kurse në vitin 2007 ka mbaruar studimet post-diplomike dhe ka marrë titullin Master i Shkencave Juridike.

Muharremi po ashtu është doktor i shkencave juridiko- penale, titull të cilin e mori në vitin 2015, pasi që doktoroi në Universitetin e Travnikut – Bosnje dhe Hercegovinë.

Në vitin 2006 ishte emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë ku kishte punuar deri në vitin 2010, për t’u emëruar më pas gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Nga janari i vitit 2013 ai punon si gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Mandatin si anëtar i KGjK-së ai do ta mbajë për pesë vite.

Driton Muharremi, në Agjencinë Kundër Korrrupsionit, si pasuri të pa luajtshme, ka deklaruar dy banesa dhe dy pllaca të cilat kapin shumën gjithsej 448 mijë euro.

Një banesë në vlerë 33 mijë euro, ka deklaruar se e ka në emër të përbashkët ndërsa banesa në vlerë prej 60 mijë eur, dhe pllacet në vlerë prej 355 mijë për të cilat ka thënë se janë në emër të bashkëshortes.

Si pasuri të luajtshme në emër të tij ka deklaruar një veturë  në vlerë prej 15 mijë euro.

Driton Muharremi po ashtu njihet si gjyqtari i cili kishte qenë pjesë e panelit të kolegjit të gjyqtarëve të Apelit, që liruan nga akuza ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, ndonëse më pas Gjykata Supreme kishte konstatuar se lirimi i Mekaj ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Muharremi gjithashtu ka qenë anëtar i kolegjit të gjyqtarëve të Apelit që ka vendosur edhe për rastet si “Medicus”, rastin ndaj Oliver Ivanoviqit, Gani Gecit si dhe ish- kryetarit të Komunës së Prizrenit Ramadan Muja.