(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Kush është dhe si u zgjodh prokurori i ri që do të trajtojë rastin e vrasjes së Agonis Tetajt?

Isuf Sadiku, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit, është caktuar ta përfaqësojë akuzën në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, rast ky që ka marrë vëmendjen e opinionit publik pas publikimit të videos së vrasjes së të ndjerit.

Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”. Akuzën e ka ricilësuar Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit, pas transferimit të lëndës nga Prokuroria e Pejës në atë të Gjilanit.

Me një vendim të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorit Agron Uka i është marrë lënda për këtë rast.

Prokurori Isuf Sadiku do të mbrojë akuzën në këtë çështje pasi u caktua me vendim të kryeprokurorit të Prokurorisë së Gjilanit, Arben Kadriu.

KALLXO.com ka kontaktuar kryeprokurorin Arben Kadriu për t’u informuar lidhur me rrethanat e zgjedhjes së prokurorit Isuf Sadiku si kompetent për trajtimin e rastit.

Kryeprokurori Kadriu tha se është dashur të veprohet shpejt duke pasur parasysh si kanë rrjedhur gjërat.

Sipas kryeprokurorit Kadriu fillimisht është menduar t’i caktohet prokurorit me të vjetër për shkak të përvojës, mirëpo për disa arsyeve tjera lënda i është ndarë prokurorit tjetër të radhës, Isuf Sadiku.

“Mendimi ka qenë me ia lënë prokurorit më të vjetër, me më përvojë mirëpo për arsye shëndetësore dhe i njëjti edhe 11 muaj pensionohet atëherë në këto rrethana i është caktuar prokurorit Isuf Sadiku”, tha kryeprokurori Kadriu.

Kryeprokurori u pyet edhe për çështjen se pse Prokuroria e Gjilanit vazhdon trajtimin e këtij rasti pasi që në një situatë të ngjashme  ishte përjashtuar në tërësi Prokuroria e Pejës, e cila kishte hetuar vrasjen e Agonis Tetajt.

“Unë nuk e di aty, neve na është besu kjo lëndë, nuk është përjashtuar prokuroria, thjesht i është marrë lënda e i është caktuar një prokurori tjetër”, tha kryeprokurori Kadriu.

Ndryshe, prokurori i ri i rastit, Isuf Sadiku, ka hetuar e përfaqësuar akuza të natyrës së ndryshme, duke mos përjashtuar rastet e vrasjeve të rënda, vrasjeve të rëndomta, e vepra të tjera penale që bien në kompetencë të Departamentit të krimeve të rënda.

Një ndër rastet që trajton prokurori Sadiku është edhe rasti penal për vrasje të rëndë, ku akuzohet polici,Vllaznim Hamdia.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Vllaznim Hamdia se më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 në Gjilan, pas kacafytjeve, kërcënimeve e sharjeve, kishte privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu.

Prokurori Sadiku përfaqëson edhe akuzën për vrasjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, ku për vrasjen e kushëririt po akuzohen 5 persona.

Ata po akuzohen nga Prokuroria se me mjete të forta e kanë vrarë kushëririn e tyre Muhamet Ismajli.

Prokurori Sadiku ka hetuar edhe rastin ku Bekim Bajrami, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Tash pasi është rihapur shqyrtimi gjyqësor për vrasjen e Agonis Tetajt, Isuf Sadiku do të përfaqësojë akuzën për këtë rast në Gjykatën e Pejës.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

I ndjeri ishte punëtor në biznesin e babait të të akuzuarit.

Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë që e ngarkonte Shaban Gogajn për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Pas një kërkese të avokatit Besnik Berisha, ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, kishte përjashtuar në tërësi Prokurorinë e Pejës për trajtimin e rastit, duke dërguar lëndën në Prokurorinë e Gjilanit.

Agron Uka prokuror i Prokurorisë së Gjilanit ka përfaqësuar këtë lëndë në gjykata ku në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar vrasjen e Agonis Tetajt si vrasje nga pakujdesia.

Babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, përmes një shkrimi publik drejtuar kryeprokurorit të shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com publikoi një foto ku shihen avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Të nesërmen Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, njoftoi se pas videos dhe reagimeve të djeshme e dyshimeve për mostrajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetaj nga ana e prokurorit Agron Uka,  u vendos që prokurori Uka të përjashtohej nga ndjekja penale e kësaj çështjeje dhe të njëjtën çështje t’ia kalojë një prokurori tjetër.

Në të njëjtën kohë Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar nga trupi gjykues që të mos e shpall aktgjykimin pasi që kishte kërkuar që të bëhen hetime të mëtutjeshme për të marrë prova të tjera të nevojshme për zbardhjen e rastit.

Gjykata e Pejës të premten kishte marrë vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor.

Gjykimi për këtë rast vazhdon më 21 prill të këtij viti.