Blerim Isufaj (djathtas)

Kush është Blerim Isufaj, Kryeprokurori i ri i Prokurorisë Speciale?

Blerim Isufaj është Kryeprokurori i ri i Prokurorisë më të rëndësishme në vend.

Isufaj do të jetë në krye të prokurorisë e cila ka për detyrë ndjekjen e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të terrorizmit, krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe veprave tjera të rënda penale të parapara me ligj.

Isufaj karrierën e juristit e kishte filluar në Prokurorinë e Pejës si praktikant për tu bërë më pas bashkëpunëtor profesional në këtë Prokurori.

Ai në vitin 2008 nga pozita e bashkëpunëtorit në Prokurori ishte bërë këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë së drejtuar aso kohe nga ministrja Nekibe Kelmendi.

Nga këshilltari politik, në vitin 2010 Isufaj ishte zgjedhur Prokuror i Krimeve të Rënda për të kaluar në Prokurorinë Speciale në vitin 2013, pozitë të cilën e kishte ushtruar deri në vitin 2016.

14 janar 2016, ishte dita kur Blerim Isufaj kishte filluar kryesimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe ai ishte përballur me një akuzë të rëndë nga Prokurori Special Elez Blakaj.

Elez Blakaj i cili kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit Special, në shenjë revolte kishte lënë pas një letër.

Në letrën e prokurorit Blakaj figuronte edhe emri i Blerim Isufajt, të cilin Blakaj e akuzonte se kishte bërë presion që ta largonte nga lista e të akuzuarve Ministrin e FSK-së, Rrustem Berishaj.

Në këtë letër thuhej se kryesuesi i Këshillit Prokurorial Blerim Isufaj kishte insistuar që hetimi ndaj Rrustem Berishës aktualisht  ministër në detyrë i FSK-së të mos përfundonte me aktakuzë.

“Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!”kishte shkruar prokurori Blakaj.

Pretendimet e Blakajt nuk ishin komentuar fare nga atëhere kryesuesi I KPK-së, Blerim Isufaj, emri i të cilit ishte lakuar se kishte insistuar për mos përfshirjen e ministrit në aktakuzë.

Pozitën e Kryesuesit të KPK-së, Isufaj e kishte mbajtur deri në fillimin e vitit 2019, pozitë të cilën më pas e morri Bahri Hyseni.

Blerim Isufaj nga pozita e kryesuesit të KPK-së, u bë Prokuror Special për tu zgjedhur më pas me 10 vota për dhe asnjë kundër në pozitën e Kryeprokurorit Special.