Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Foto: Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë

Kush është Bajram Begaj, presidenti i ri i Shqipërisë?

Bajram Begaj është zgjedhur presidenti i ri i Shqipërisë me 78 vota që ishin në favor të tij.

Begaj, i cili ka një karrierë më shumë se 30 vjeçare në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, prej vitit 2020 shërben në rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Më parë ai ka shërbyer në disa poste të rëndësishme si Komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, Kryeinspektor, dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Studimet e larta i ka kryer për mjekësi të përgjithshme në ’89-ën, fushë në të cilën ka marrë edhe doktoraturën.

Begaj është graduar si “general Major” nga presidenti aktual Ilir Meta, duke hyrë në historinë e Forcave të Armatosura si mjeku i parë në ushtri që merr gradën më të lartë.

Ai ka lindur në 20 mars të vitit 1967 në Rrogozhinë. Begaj është i martuar dhe ka dy djem./Euronews.al