Kush është ambasadori Ylber Hysa, i propozuar për t'u shkarkuar
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, është në mesin të propozuarve për t’u shkarkuar nga kjo pozitë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës.
Sipas Konjufcës së lartcekurve u ka përfunduar mandati 4 vjeçar.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentit të Kosovës nëse presidenti Thaçi do t’i përfillë propozimet e ministrit Konjufca, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërkaq, Ylber Hysa karrierën diplomatike e kishte nisur në vitin 2012 kur ishte emëruar ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq nga kjo detyrë ishte liruar në vitin 2018, për të kaluar në Ambasadën në Podgoricë më 2019.
Ndërkaq, karriera e tij politike ka nisur shumë më herët.
Hysa ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë “Ora” në vitet 2004-2007, si dhe nënkryetar i Komisionit parlamentar për Siguri.
Ndërsa, më 2007 ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Shumë më herët, sipas një biografie te publikuar në ueb faqen zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Shkup (kur Hysa ka qenë ambasador), thuhet se Ylber Hysa në vitet 2000-2004 – ka qenë redaktor i revistës tremujore “Kosova & Balkan Observer” botuar në anglisht dhe shqip, 1997-2004 – Drejtor i Qendrës së Aksioneve të Kosovës për Iniciativa Qytetare, 1990-1997 – një nga themeluesit dhe redaktor në të përditshmen “Koha Ditore”.
Sipas këtyre të dhënave, Hysa më 1990 ka qenë asistent dhe më vonë studiues në Institutin e Studimeve Shqiptare në Prishtinë.
Ndërsa në vitin 1989 ka qenë gazetar në revistën “Fjala”.
Pasuria e ambasadorit Ylber Hysa
Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Në deklarimin e pasurisë së Hysës për vitin 2019, ai ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 231 mijë eurosh.
Në kuadër të kësaj, ai ka deklaruar se në emër të tij ka banesë, truall, vikendicë dhe pllac.
Si pasuri të luajtshme Hysa e ka deklaruar një veturë në vlerë 16 mijë euro të cilën thotë se e ka blerë me kredi dhe nga shitja e veturës paraprake.
Hysa ka deklaruar se ka një kredi për blerje të veturës në vlerë prej 5 mijë euro.