Kush e vendosi datën për ndërhyrjen në Karaçevë

Mbi një vit hetim intensiv, masa të shumta të fshehta të vëzhgimit, identifikimi i personave të dyshuar për bixhoz e kontrabandë, do të përfundonte me një aksion të gjerë të Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Inspektoratit Policor të Kosovës së bashku me njësitë speciale të cilat ishin përgatitur për ndërhyrje.

Pamje ekskluzive të zhvillimit të hetimeve që përfunduan me arrestimin e 12 zyrtarëve policor, mbi 50 qytetarëve të tjerë të cilët dyshoheshin se kontrabandonin kafshë dhe rrënimin e mbi 10 objekteve në të cilat luhej bixhozi, u shfaqën sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Në ditën  e ndërhyrjes prokurorja Rozelida Manastiri mbledh ekipin  hetimor për të nisur me procedurat e takimeve dhe ndarjen e detyrave të cilat do të ndodhnin në fshatin Karaçevë ku cak ishin disa zyrtar policor e disa qytetarë të Kamenicës.

“Pasi i kemi përfunduar të gjitha planet operative për procedimin e aksionit e kemi edhe brifingun si në Inspektoratin Policor ashtu edhe te Krimet Ekonomike në Prishtinë. Shkresat e nevojshme i morëm dhe vazhdojmë rrugën për në Prishtinë”, tha Prokurorja.

E Shefi i Divizionit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në IPK, Bardhyl Haxhimustafa u tregon edhe ndarjen e ekipeve sipas planit.

“12 ekipe jemi të njoftuar se ku bëni pjesë, detyrat tuaja siç i përsëriti Kryeshefi i IPK-së, janë arrestimi, kontrolli, bastisja, trajtimi dinjitoz i të arrestuarve dhe dorëzimi i të arrestuarve deri në qendrat e ndalimit”, tregon Haxhimustafa.

Pas takimit dhe me drejtuesit e Policisë së Kosovës, prokurorja niset drejt Gjilanit ku do të hynte në dhomën komanduese dhe të fillonte aksionin në Karaçevë.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: