Kush e kundërshtoi në LDK koalicionin me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate?

124 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së kanë marrë pjesë në votimin përmes emailit rreth kërkesës së kryetarit të partisë, Isa Mustafa, nëse duhet të lidhin koalicion për formimin e Qeverisë me AAK-në e Ramush Haradinajt, Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt si dhe minoriteteve.

Pro këtij koalicioni kanë votuar 108 anëtarë të pranishëm, 6 e kanë kundërshtuar një koalicion të tillë dhe 10 nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

Kështu, Isa Mustafa ka marrë dritën e gjelbër për të lidhur koalicion në rast se presidenti Hashim Thaçi do t’ia kërkojë mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

Kundër një koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet është shprehur nënkryetarja e LDK-së, aktualisht kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, mëson KALLXO.com nga burimet brenda LDK-së.

Kundër një koalicioni me partitë që qeverisën gjatë dy viteve të fundit me vendin, AAK-në e Nismën Socialdemokrate, është edhe këshilltari i Vjosa Osmanit dhe anëtari i KP-së të LDK-së, Faton Peci.

Kundër votoi edhe deputeti Ardian Shala.

“Po, kam votu me opsionin që ka qenë, jo. I kam dhanë edhe disa arsye se pse kam votuar me jo”, ka thënë ai shkurt për KALLXO.com.

Shala kishte votuar kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti edhe më 25 mars, kur LDK inicioi një mocion mosbesimi.

Me propozimin e Isa Mustës, që LDK të bëjë koalicion me AAK-në e Nismën, nuk është pajtuar as anëtari tjetër i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Nexhat Ramadani.

“Po, unë kam votuar kundër. Kam mendu që në rrethanat e krijuara, pozicioni më i mirë për LDK-në do të ishte me mbetë në opozitë. Gjatë fushatës, LDK ka qenë që mos të bëj koalicion me partitë e PAN-it dhe në këto rrethana do të ishte më mirë të ishte në opozitë. Ky ka qenë mendimi im. Unë i respektoj vendimet e KP-së por ky ka qenë mendimi im”, tha Ramadani.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga deputeti Haxhi Avdyli, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë. Avdyli, kishte kundërshtuar rrëzimin e Qeverisë Kurti, kur LDK ngriti një mocion mosbesimi.

Ndërsa votën e tij në Këshillin e Përgjithshëm nuk ka dashur ta zbulojë deputeti Fatmir Rexhepi.

“Përgjigjen e kam dhënë në Këshill të Përgjithshëm, ashtu siç kanë kërku me u përgjigj. Është votim i fshehtë, nuk është publik, kështu që nuk kam ndonjë deklarim për publikun”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Votimin që kërkoi Mustafa nga delegatët për të lidhur koalicion me AAK-në e Nismën e bojkotuan dy ministrat në Qeverinë Kurti, Anton Quni e Lumir Abdixhiku.

Një koalicion mes partive LDK-AAK-Nisma deri më tani e ka përkrahur partia e Ramush Haradinajt ndërsa ajo e Fatmir Limajt deklaroi se ende nuk kanë një qëndrim zyrtar.