Pompa e derivateve në Mitrovicë të Veriut. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Kush dhe me çfarë çmimi i mori në shfrytëzim pesë pompat e derivateve në veri?
Pesë pompa të derivateve u mbyllën nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në katër komunat veriore të Kosovës, e për të njëjtat më pas u hap shpallje publike për qiradhënie.
Procesi në fjalë tashmë ka përfunduar, kompanitë fituese me çmimin më të lartë të ofertave veçse janë zgjedhur për qiramarrje mujore.
‘Zhurmë’ në publik për disa prej këtyre pikave të karburanteve krijoi kompania Ex-Fis, e cila është në mesin e donatorëve të Vetëvendosjes.
Kjo kompani kishte vendosur logot e saj në pompën e derivateve, mirëpo vetëm një ditë më pas ato logo ishin larguar, pasi AKP kishte konstatuar se dhënia në shfrytëzim e pompave duhet të kalojë në procesin e prokurimit.
KALLXO.com ka siguruar listën e ofertuesve për pesë pikat, mirëpo në mesin e kompanive fituese pas mbylljes së procesit më nuk gjendet Ex-Fis, e kjo pasi çmimet që kompania ofroi për marrje me qira dy prej pompave të karburanteve nuk ishin as afër çmimit të kompanive fituese.
Pompën e karburanteve në Zubin Potok në rrugën “Arsenije Carnojeviq” e mori me qira “Veda 3 NTP” me çmimin më të lartë prej 5 mijë e 111 euro.
Edhe pika e karburanteve në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq u mor nga “Veda 3 NTP” me çmimin prej 3 mijë e 114 euro.
Po e njëjta kompani ofroi më së shumti para për qira mujore edhe në pikën e karburanteve në Mitrovicë të Veriut, në rrugën “Mbreti Petar I”. Çmimi i “Veda 3 NTP” në këtë pikë ishte 7 mijë e 111 euro.
Për pikën e dytë të karburanteve në Zubin Potok, kësaj radhe në rrugën për në Ujman” fitoi “LAB Oil SH.P.K” me 5 mijë e 170 euro ofertë.
Ndërsa pompën e derivateve në rrugën “Mbreti Petar I” në Zveçan e mori “LAB Oil SH.P.K” me ofertë prej 1 mijë e 175 euro.
Çfarë oferta pati për pesë pikat e karburanteve?
Agjencia Kosovare e Privatizimit në një përgjigje për KALLXO.com shpjegoi se për këto pesë pika të karburanteve i ka pranuar gjithsej 35 oferta.
AKP tha se procesi i qiradhënies se këtyre aseteve është bërë në bazë të rregullores për Qiradhënien e Aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore, proces i hapur dhe transparent, ku çmimi më i lartë i ofertës e përcakton fituesin.
Pompa e karburanteve në Zubin Potok në rrugën ‘Arsenije Carnojeviq’ mori gjashtë oferta, e fituese doli “Veda 3 NTP” me çmimin më të lartë prej 5 mijë e 111 euro.
Ofertues për këtë popmpë ishin edhe “E Hasani BTP LLC” me çmim prej 2 mijë e 620 euro, “Mala Oil SH.P.K” me çmim 1 mijë e 520 euro, “Lab Oil SH.P.K” me çmim 1 mijë e 175 euro, “Universe SH.P.K” me çmim 651 euro e po ashtu edhe Bekim Ismaili Ex-Fis me çmimin më të ulët prej 600 eurove.
Gjashtë oferta për qiramarrje mori edhe pika e karburanteve në rrugën 24 Nëntori në Leposaviq, e fituese edhe këtu doli “Veda 3 NTP” me çmimin më të lartë të ofruar në vlerë prej 3 mijë e 114 euro.
Pesë ofertat tjera nuk arritën të kalojnë ofertën e “Veda 3 NTP” pasi çmimet që ata ofruan nuk kalonin as 2 mijë euro.
Oferta e “LAB Oil SH.P.K” arriti çmimin prej 1 mijë e 175 euro, ajo e “E Hasani BRP L.L.C” ishte 1 mijë e 120 euro, “Mala Oil SH.P.K.” ofroi 1 mijë e 10 euro për të marr me qira këtë pompë derivatesh, ndërsa oferta e “IP Kos SH.P.K.” ishte vetëm 700 euro.
Më e vogël se oferta e “IP Kos SH.P.K.” ishte ajo e “Universe SH.P.K.” me vetëm 301 euro.
Edhe në pikën e karburanteve në Mitrovicë të Veriut, në rrugën “Mbreti Petar I” fituese doli “Veda 3 NTP” me ofertën prej 7 mijë e 111 euro.
Kjo kompani la pas tetë kompani të tjera, me çmimet që vijonin nga 6 mijë deri në 600 euro.
“LAB Oil SH.P.K” ofertoi 6 mijë e 170 euro, “Veda 2 Petrol SH.P.K” ofroi për këtë pompë 5 mijë e 20 euro, oferta e “E Hasani BRP L.L.C” ishte 3 mijë e 820 euro, ajo e “Haki Spahiu – NTP Albania” ishte 3 mijë e 210 euro, “G3 Oil SH.P.K.” ofertoi 2 mijë e 777 euro 1 mijë e 301 euro, “Mala Oil SH.P.K.” dha ofertën prej 1 ijë e 10 euro, ndërsa i fundit në listë mbeti pra Bekim Ismaili (Ex – Fis) me ofertë prej vetëm 600 euro.
Për pikën e dytë të karburanteve në Zubin Potok, kësaj radhe në rrugën për në “Ujman” fitoi “LAB Oil SH.P.K” me 5 mijë e 170 euro ofertë, ku në konkurrencë më këtë kompani ishin edhe gjashtë të tjera, ofertat e të cilave vijonin nga 2 mijë deri në 400 euro.
E fundit në listë ishte “Universe SH.P.K” me 401 euro ofertë. Teksa pak më shumë se kompania në fjalë ofroi “Petrol Company SH.P.K.” me 750 euro.
“Sedef Travel 2024 DOO” dha ofertë me çmim prej 1 mijë e 230 euro, ndërsa “Veda 3 NTP” që mori në qira tri pompa të tjera në këtë rast ofertoi vetëm 2 mijë e 10 euro. Çmim të njëjtë si kompania e fundit ofertoi edhe “Mala Oil SH.P.K”, ndërsa “ E Hasani BTP L.L.C” ofertoi 2 mijë e 620 euro.
Shtatë oferta ishin edhe për pompën e derivateve në rrugën “Mbreti Petar I” në Zveçan. Mirëpo, fituese sipas përgjigjeve të AKP-së ishte “LAB Oil SH.P.K” me 1 mijë e 175 euro ani pse “Sedef Travel 2024 DOO” ofertoi 1 mijë e 180 euro.
“E Hasani BRP L.L.C” është e treta në listë me çmim të ofruar prej 1 mijë e 120 euro, ndërsa pas saj vije “Veda 3 NTP” me ofertë 1 mijë e 110 euro.
Oferta e “Mala Oil SH.P.K” ishte 1 mijë e 15 euro, ndërsa “HIB Petrol SH.P.K. ishte 720 euro, teksa e fundit mbeti “Universe SH.P.K” me 701 euro ofertë.
Mbyllja e pompave në veri
Mbylljet e para të pompave të derivateve u bën në fillimin e javës së tretë të korrikut, saktë më 16.07.2024.
Njoftimet zyrtare tregonin se atë ditë në komunat veriore u mbyllën tri pompa, një në Mitrovicë të Veriut, një në Zubin Potok dhe një në Ujman.
Agjencia e Privatizimit të Kosovës kishte bërë të ditur se këto tri pika të karburanteve të cilat janë nën administrimin e saj nuk ishin të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, ndërsa dy prej tyre nuk ishin as të fiskalizuara.
E veprime të tilla sipas Agjencisë përbënin shkelje të kontratave të qirasë me agjencinë.
AKP kishte bërë të ditur se Inspektorati i MINT ua ka ndërprerë veprimtarinë këtyre bizneseve dhe si rrjedhojë e kësaj edhe agjencia do t’ua ndërpres kontratat e qirasë.
Gjashtë ditë më vonë, më 22.07.2024 Inspektorati i MINT kishte njoftuar se ka mbyllur përkohësisht dy pompa të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq, për shkak të operimit pa leje.
Në njoftimin e MINT bëhej e ditur se këto dy pompa po shisnin pa leje derivate të naftës me pakicë.
Të gjitha veprimet e inspektorëve të MINT e edhe zyrtarëve të AKP-së ishin asistuar nga Policia e Kosovës.
Rasti “Ex-Fis”
Logot u vendosën në qytetet veri, por polemikat që krijoi kompania e derivateve “Ex-Fis” u shpërndanë edhe në qytetet e tjera të Kosovës.
Kjo kompani e derivateve ka tentuar që nëpërmjet dërgimit të një email-i t’i marrë në posedim pompat të cilat ditë më parë Qeveria Kurti njoftoi se u kthyen në posedim të institucioneve të Kosovës.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në një njoftim për media kishte thënë se “Ex-Fis” kishte bërë kërkesë zyrtare për marrjen e disa pikave shitëse me qira direkte.
“Me rastin e parashtrimit të kërkesës është keqkuptuar se të njëjtit mund të vazhdojnë me brendim të pikës shitëse. Pasi që AKP e ka pranuar informatën se ka brendim të kësaj pike shitëse, menjëherë e ka sqaruar keqkuptimin me EXFIS të cilët i kanë larguar të gjitha brendimet, marrë parasysh që këto pesë pika shitëse ende nuk janë dhënë me qira, rrjedhimisht janë të lira” – thuhet në njoftimin e AKP-së më 30.07.2024.
Tutje në njoftim thuhet edhe se nga informatat që ka AKP me lejen e inspektoratit, operatorëve të naftës u është lejuar tërheqja e karburanteve të naftës nga këto pika shitëse të karburanteve, të cilat importuesit/shitësit me shumicë i kanë shitur tek qiramarrësit e deritanishëm.
Pasi ishte nisur brendimi i pompës së derivateve nga “Ex-Fis”, AKP kishte kërkuar që të largoheshin të njëjtat.
“Me marrjen e informatës nga AKP, se ka brendim të kësaj pike shitëse, EXFIS menjëherë ka larguar të gjitha brendimet, marrë parasysh që këto pesë pika shitëse ende nuk janë dhënë me qira, rrjedhimisht janë të lira”- thuhet tutje në njoftimin e AKP-së.
KALLXO.com kishte kërkuar sqarime edhe nga kompania “Ex Fis”, mirëpo e njëjta nuk ka ofruar sqarime se pse kishte ndërhyrë në pronat e AKP-së pa pasur kontratë valide.
“Pershendetje, jam jashtë vendit momentalisht. Drejtohuni me email dhe pastaj departmenti përkatës përgjigjet” – ka thënë Genc Bajrami, menaxher i shitjes në “Ex Fis”.
Kjo kompani figuronte edhe në listën e financuesve të Vetëvendosjes në vitin 2020.
Në atë kohë vlera më e madhe e mallrave si donacion ishte nga kompania e derivateve ‘EX FIS’ – 9,534 euro.
Pasi vendosi më 26.07.2024 logon në pompën e derivateve, e cila gjendet vetëm pak metra larg stacionit policor në veri të Mitrovicës, “EX FIS” e largoi atë.
MINT thotë se ka iniciuar procedurë në gjykatë ndaj “ExFis” e kompanisë serbe
Financuesi i Vetëvendosjes tentoi të marrë pompat e derivateve në veri të Kosovës