Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush bleu toka për t'i shpronësuar përgjatë trasesë së autostradës Prishtinë- Gjilan?

I ftuar në debat në KALLXO.com zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka premtuar se do t’i japë qasje në dokumente organizatës ‘FOL’ se kush bleu toka përgjatë autostradës Prishtinë – Gjilan.

Mexhide Demolli – Nimani nga kjo organizatë u ‘ankua’ se 3 ministrat e fundit të Financave nuk kanë ofruar qasje në dokumentet e pronarëve të tokave përgjatë autostradës.

Për këtë zëvendësministri Krasniqi premtoi transparencë.

“Sapo të kthehem do të shikoj këtë dhe t’i merrni të gjithë informatat. Po ju siguroj se vetë kam me u marrë me këtë”, tha Krasniqi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se nga 660 milionë euro shpenzime kapitale të buxhetit, 204 milionë prej tyre janë vetëm për Ministrinë e Infrastrukturës.

“Diku rreth 625 milionë euro janë pagat e rregullta dhe këto nuk mund t’i rregullojmë. Mbi 640 milionë euro janë skema sociale, subvencionet. I kemi zvogëlu mallrat dhe shërbimet nga 355 milionë në 310 milionë euro. I kemi rreth 660 milionë shpenzime kapitale, prej 204 milionë janë tek Ministria e Infrastrukturës dhe prej këtij 204 milionë janë 200 milionë euro të cilat kanë kontrata, janë obligime ligjore që ne nuk kemi mujt me i zvogëlu. Janë projekte të filluar kryesisht në vitin 2019”, ka thënë Krasniqi.