Burimi i fotos - Flutura Kusari - Facebook

Kusari: Prokurori Shpend Krasniqi po tenton të shkelë ligjin për sinjalizues

Flutura Kusari, juriste e specializuar në fushën e mediave, ka komentuar shkrimin e KALLXO.com, i cili tregon se si Prokuroria e Prishtinës ka nisur një hetim ndaj njerëzve të cilët zbuluan skandalin e lirimit nga përgjegjësia për shmangie tatimore të Morena Tarakut me rastin e importimit të një veture.

“Prokurori i parë që në mënyrë flagrante është duke tentu me e shkelë me dy këmbë Ligjin Fantastik për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është prokurori Shpend Krasniqi, si duket me ndihmën e prokurorit Kujtim Munishi”, ka shkruar Flutura Kusari në Facebook.

Ajo ka rikujtuar edhe një herë se ligji e ndalon në mënyrë specifike nisjen e hetimeve kundër sinjalizuesve dhe ndjekja e tyre është vepër penale.

“Këta sinjalizues kemi me i mbrojtë”, ka shkruar tutje Kusari.

KALLXO.com raportoi para disa ditësh për rastin i cili me urdhër të Prokurorisë së Prishtinës ishte mbyllur duke konstatuar se gjatë importit nuk ishte kryer shmangie tatimore edhe përkundër që Dogana e kishte konstatuar një gjë të tillë.

KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës e cila mbylli rastin, ka nisur hetime penale për zyrtarët brenda Doganës e Policisë së Kosovës të cilët kishin qasje në dosjen e lëndës për të zbuluar se si u publikua në media ky skandal.

Prokurori i rastit Shpend Krasniqi i ka thënë KALLXO.com se rasti është nën hetime dhe nuk mund të japin informacione të tjera.

“Rastit është nën hetime, nuk jap informacione”, ka thënë Krasniqi.

Ligji për sinjalizuesit garanton mbrojtje për të gjithë zyrtarët shtetërorë të cilët, me qëllim interesin e publikut, zbulojnë të dhëna rreth pretendimeve për abuzim me detyrën.

Ky ligj iu ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim.

Neni 6 i Ligjit për Sinjalizuesit pengon çfarëdo forme të pengimit të sinjalizimit.

“Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”, përcaktohet në Ligjin për Sinjalizuesit.

Për më tepër, hakmarrja ndaj Sinjalizuesve është edhe vepër penale e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

I pyetur nëse prokurori e ka lexuar këtë ligj dhe është duke e trajtuar rastin konform këtij ligji, prokurori Krasniqi nuk ka dhënë detaje.

“Nuk mund të flasë”, është përgjigja e tij në pyetjen nëse e ka lexuar ligjin për sinjalizuesit.

KALLXO.com ka tentuar të flasë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për të marrë një qëndrim rreth vendimit të Prokurorisë së Shtetit për të përndjekur sinjalizuesit, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

KALLXO.com mëson se disa nga ambasadat e akredituara në Kosovë janë angazhuar për të përcjellë nga afër veprimet e Prokurorisë së Prishtinës.

Prokuroria e Prishtinës ndodhet në një situatë të konfliktit të interesit për shkak se vendimet për mbylljen e këtij rasti janë kryer nga prokurorë dhe menaxher të kësaj prokurorie.

Skandaloze, Prokuroria e mbyll dosjen e Morena Tarakut për veturën e 235 mijë eurove

Skandaloze, Prokuroria e mbyll dosjen e Morena Tarakut për veturën e 235 mijë eurove