Kusari parashtron ankesë në KPM kundër Big Brother e Klan Kosova

Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, ka njoftuar se ka parashtruar ankesë pranë Komisionit të Pavarur për Media kundër emisionit Big Brother dhe Klan Kosova.

Kjo ankesë erdhi pasi mbrëmë, më 04.11.2024, Atilla Kardesh, i cili ishte denoncuar në Policinë e Kosovës si i dyshuar për dhunë në familje, është futur në spektaklin televiziv “Big Brother Vip Kosova” në Klan Kosova.

Juristja e të drejtës së medias tha se kërkoi nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të nenit 3 të Kodit të Etikës së për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës.

Kusari tha se liria e shprehjes dhe liria e medias nuk janë absolute dhe sipas saj këto të drejta dhe liri vijnë me përgjegjësi.

“Është përgjegjësi e televizionit Klan Kosova, që këto të drejta t’i ushtrojë duke transmetuar materiale në pajtim me normat etike dhe ligjore” – tha juristja e të drejtës së medias.

Kusarit theksoi se vendimi i emisionit Big Brother për t’i ofruar hapësirë, sipas saj, “një dhunuesi dhe promovimi i tij” në një emision me shikueshmëri të madhe është abuzim me lirinë e medias dhe të shprehjes.

Sipas saj, ky do të jetë një rast kyç “landmark case” për Komisionin e Pavarur për Media dhe precedent në fushën e mbrojtjes së grave nga ky institucion.

KALLXO.com ka kontaktuar Klan Kosovën për të marr një qëndrim pas ankesës së parashtruar në KPM, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marr një përgjigje.

Po ashtu është kontaktuar edhe Komisioni i Pavarur i Mediave, nga të cilët po ashtu është duke u pritur përgjigje.

Reagime të shumta janë bërë nga organizata e individ të ndryshëm lidhur me futjen e Atilla Kardesh në Big Brother.

Mëngjesin e sotëm, më 05.11.2024, organizata jo qeveritare “Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA” ka zhvilluar një aksion para objekteve të televizionit Klan Kosova.

“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave” – ka qenë thirrja e “QIKA”.

Pas këtij aksioni ka reaguar Klan Kosova duke e cilësuar këtë veprim si “sulm huligan“.

“Klan Kosova dënon ashpër çdo veprim të tillë huliganizmi ndaj çdo institucioni apo subjekti, andaj apelon tek organet e rendit që kryerësit e akteve të tilla, të përgjigjen para drejtësisë” – tha Klan Kosova.

Një reagim është bërë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila ka shprehur shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore.

“Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një shoë në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë” – u tha në reagimin e RrGK-së.

Tutje sipas Rrjetit të Grave, të promovosh figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por sipas kësaj organizate dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.

“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit” – theksohet më tej.

Gjithashtu u shtua se dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.

Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë, më 04.11.2024, pak pas mesnatës ka zhvilluar një aksion me grafite në muret e ambienteve të televizionit Klan Kosova.

“Klani dhunon gratë”, “Bojkoto Klanin”, janë disa nga mbishkrimet.

Atilla Kardesh është ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, e cila që nga fillimi i këtij edicioni të “Big Brother Vip Kosova”  ka qenë banore e shtëpisë.

Latifi kishte denoncuar Kardesh për dhunë ndaj saj, duke treguar edhe publikisht që gjatë kohës sa ka qenë e martuar me këtë të fundit ka pësuar dhunë fizike nga ai.