Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari- Lila: Të tregojmë arsyet e mirëfillta pse nuk jemi mbledhur për katër javë

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila ka thënë se e pakta që mund të bëhet është të tregohen arsyet e mirëfillta pse nuk janë mbledhur për katër javë për mbledhje plenare.

“Në tri nivelet, atë të legjislativit, ekzekutivit dhe qeverisjes lokale të zgjedhurit janë pjesë e organizatave politike. Ky fakt e shkaktoi edhe ngecjen e punës së kuvendit për katër javët e fundit, prej mos krijimit të kuorumit në mbledhjet e kryesisë së kuvendit, e deri tek pamundësia e ftesës për seancë plenare”, ka thënë Kusari- Lila.

Tutje ajo shtoi se po të ishte i vërtetë fakti që nuk është punuar në Kuvend, atëherë sipas saj nuk do të ishin në shqyrtim 13 projektligje në lexim të parë, një projektligj në lexim të dytë dhe 11 raporte për shqyrtim, kur dihet se shumica e këtyre dokumenteve kalojnë nëpër komisionet funksionale.

“Tashmë kur nuk ka arsyetime tjera para vetes kemi punë dhe angazhime të cilat duhet të jenë në përputhje me planet e miratuara në secilin komision funksional me përkushtim e seriozitet”, deklaroi Kusari- Lila.

Gjithashtu, ajo u bëri thirrje partive politike e shoqërisë civile që të punojnë në procesin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për zgjedhje.