Mimoza Kusari- Lila, deputete

Kusari-Lila: Sot jemi me maska por kurrë më shumë nuk e kemi pasur të zhveshur personalitetin

Deputetja Mimoza Kusari-Lila që foli në emër të Lëvizjes Vetëvendosje tha  sot në Kuvend se  Parlamenti do të hyjë në histori sesi rrëzoi qeverinë në kohë pandemie.

“Fotografitë e sotme kemi mi pa në krejtë mediat botërore se jemi i vetmi shtet në botë që mblidhet për mocion në kohë kur qeverive janë duke ju zgjatë mandatet për ta luftuar coronavirusin i vetmi vend sot që nuk tregon asnjë argument për  përgjegjësinë si shtet është Kosova dhe deputetët e saj. Kosova ka kaluar nëpër shumë probleme e edhe do të kaloj. Koalicioni me zor nuk mundet me ndejt, por kjo seancë është gjithçka tjetër përveç normale”, tha Lila.

 

Sipas saj kjo është ‘seancë e kontradiktave dhe paradokseve’.

Ajo lavdëroi punën e qeverisë Kurti, sidomos koordinimin në luftimin e coronavirusit.

“Kur i kam parë ministrat bashkë, fotografia e ministrit Vitia me ministrin Abdixhiku, pamjet nuk binë me atë që kryeministri s’po na dëgjon. Sot nuk kemi të bëjmë me parime. Sot jemi me maska por kurrë më shumë nuk e kemi pasur të zhveshur personalitetin”, tha ajo.

Kuvendi është duke mbajtur seancën për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.