Kusari-Lila: Situata me energjinë në veri është anashkaluar nga 4 qeveritë

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ta miratojnë rekomandimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ajo në seancën e sotme tha se miratimi i propozimit të Komisionit për Ekonomi, do të bëjë zgjidhje për një situatë që është krijuar qysh moti dhe sipas saj është anashkaluar nga 4 qeveri.

“Është rekomanduar që KOSTT të jetë përgjegjës për sigurimin e rrymës pasi është përgjegjës por dhe i autorizuar nga ZRrE dhe ka kosto më të ulët nëse KOSTT e blen sesa fatura që i vjen Qeverisë. Duke marrë parasysh rrethanat aktuale dhe rrezikut të anëtarësimit në organizatën ENTS-e propozoj që të miratohen rekomandimet”, tha Kusari-Lila.

Më 28 prill, me 6 vota për dhe 3 kundër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka votuar që në 6 muajt e ardhshëm, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Komisioni për Ekonomi voton që KOSTT të mbulojë për 6 muajt e ardhshëm shpenzimet e energjisë elektrike në veri