Kusari-Lila: Seanca mbahet sonte në ora 18:00, Kurti dhe Osmani dhanë garanci që nuk do të procedohet ligji për zgjedhjet

U.d. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se sonte, në ora 18:00 do të mbahet seanca për votimin e presidentit.

“Mund të konfirmoj që sonte mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit në ora 18:00, me kërkesën dhe nënshkrimin e 41 deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo.

“Ne si grup parlamentar i VV-së kemi shpreh gatishmërinë që të bëjmë gjitha hapat e duhur për mbarëvajtjen e suksesshme  të një seance e cila do të përmbyllet me zgjedhjen e presidenten e Republikës”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo ka folur edhe rreth projektligjit për zgjedhjet duke shtuar se Kurti dhe Osmani kanë dhënë garanci që nuk do të shtyhet tutje ligji pa koordinim me opozitën.

“Siç jeni njoftuar, kryeministri Kurti dhe zonja Osmani kanë dhënë garanca publike që as një hap më tutje nuk do të bëhet me ligjin për zgjedhjet në Kosovë pa përfshirjen e opozitës dhe inkuadrim të tyre në reformën zgjedhore”, tha ajo.