Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari- Lila: Projektligj për paga nuk duhet të bëhet vetëm për rritje por edhe për nivelim

Gjatë debatit parlamentar në lidhje me projektligjin për pagat në sektorin publik u.d shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, tha se është domosdoshmëri që ky ai të diskutohet pa presion e kushtëzime.

Kusari Lila tha se ky projektligj duhet ta ketë qasje gjithëpërfshirëse për të gjitha kategoritë në shoqëri edhe ata që nuk janë me rroga në sektorin publik.

“Projektligji duhet të jetë mbi parimet për caktimin e pagës bazë, për caktimin e llojit të shtesave, rregullimin për përcaktimin e kompensimeve dhe shpërblimeve për të pas barazi dhe drejtësi mes sektorëve, për të ofruar siguri për klimën e investimeve dhe për të nxit punësimin në sektorin privat duhet të kemi kujdes të shtuar kur e diskutojmë dhe kërkojmë këtë projektligj”, tha ajo.

Kusari – Lila shtoi se projektligji nuk duhet të perceptohet vetëm për rritje pagash por për nivelim.

Ajo ka kujtuar edhe kohën kur në qeverinë e udhëhequr nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ligji për paga është shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

“Kërkesa juaj për përfshirje që të ketë një shumë specifike në buxhetin e vitit 2022, është e gabuar siç ka qenë e gabuar komplet qasja juaj kur e keni pasur qeverinë… Mbi 20 ankesa zyrtare janë dorëzuar aso kohe dhe ato e kanë shty Avokatin e Popullit ta kontestoj dhe ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Sipas saj më 3 shtator 2018 qeveria e PAN-it e udhëhequr nga Haradinaj miratoi ligjin e pagave në qeveri dhe i njëjti sipas procedurës kishte shkuar në Kuvend pas dy jave.

“I njëjti projektligj u miratua në Kuvend me 2 shkurt 2019 i njohur atë kohë si ligji për pagat në sektorin publik. Për dy lexime në këtë projektligj ka pasur ndërhyrje brutale kryesisht me kategorizime, politizime, me insistime për nivele e kategori të caktuara aso kohe të lidhua me partitë në pushtet. Me atë ligj rregullohej rritja e pagave e 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind prej tyre mbeteshin jashtë këtij ligji. Me ligj kanë qenë të kënaqura të njëjtat sindikata të cilat sot po e kushtëzojnë qeverinë me kalimin e këtij ligji. Ka qenë Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, Federata e Sindikatës së Shëndetësisë, dhe Sindikata e Policisë së Kosovës. Kundër këtij ligji ishte Sindikata e Shërbyesve Civil, Sindikata e Punëtorëve të Ndërmarrjeve Publike dhe disa sindikata tjera”, tha Kusari – Lila, duke iu përgjigjur akuzave të deputetëve të AAK-së dhe kërkesës së tyre që në projektligjin e vitit 2022 të përfshihet edhe ligji për paga.

Në qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar Ligjin për pagat. Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Prandaj e ka shpallur të pavlefshëm atë dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.

Gjykata Kushtetuese shfuqizon Ligjin për Pagat