Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila 'përplaset' me Abdixhikun e Hotin pasi ia përmendën postet e saj në politikë

Deputetja e LVV-së Mimoza Kusari-Lila dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku  e deputeti Avdullah Hoti, janë “përplasur” sot gjatë seancës së Kuvendit pasi asaj ia përmendën postet që ka ndërruar Mimoza Kusari-Lila gjatë karrierës së saj politike.

“Për ofendimet që i bëri shefja e GP të LVV-së, ish-këshilltares së Bajram Rexhepit në PDK, ish-nënkryetares së Behxhet Pacollit në LDK, ish zv. Kryeministres së Thaçit në Qeveri, ish-partneres së koalicionit dhe ish-deputetes së Isa Mustafës në LDK dhe ish-shefes apo u.d e partisë së Albin Kurtit nuk po flas për 5 por për një, nuk mund t’i flas për një çështje që se kupton dhe që është moraliteti dhe kurrizi politik”- tha Abdixhiku.

Kusari-Lila këtë deklaratë të Abdixhikut e ka quajtur gjuhë seksiste, duke thënë se po i përdoren për të ushqyer gjuhë të urrejtjes ndaj gruas në politikë.

“Sa i përket gjuhës seksiste, mizogjene që përdorni ndaj një gruaje, që i pari e ka përdorur Haradinaj, i dyti një deputet i grupit tonë parlamentar, dhe i treti ju. Kam qenë në një parti që është quajtur Aleanca Kosova e Re, pastaj të Altrenativa. Gjitha këto e kanë një qëllim për ta ushqyer një gjuhë të urrejtjes ndaj gruas në politikë”- tha Kusari – Lila.

Ndërsa, në diskutim është përfshirë edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i cili akuzoi Kusari-Lilën se ajo bashkohet me partitë që i kanë gjasat më të mëdha të fitojë zgjedhjet.

“Zelli i saj për t’ju shërbyer shefave që i ka ndërrua vazhdimisht është i gërditshëm, është i poshtër. Kush i ka gjasat më të mira kjo i shkon mbrapa. I ka shku PDK-së mbrapa, na ka ardhë neve mbrapa kur i kemi pas gjasat me fitu. Nuk i lejke deputetët e LDK-së me folë duke thënë se çfarë kryeministri ka me qenë zotri Hoti. Kur nuk fituam na la, shkoi në partinë tjetër”- ka thënë ai.

E deputetja Kusari-Lila pati një kundërpërgjigje për këtë deklaratë duke i thënë për një çështje të vetëm janë bashkërenduar Abdixhiu  e Hoti, për “sulm ndaj saj”.

Kuvendi Kosovës është duke zhvilluar debat parlamentar për detajet nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryemistrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.