Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari – Lila: Për vite me radhë në Kosovë veriun e menduan si të tregtueshëm

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila tha se situata në veri është zinxhir i ngjarjeve të cilat nuk kanë ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Sipas saj, veriu i Kosovës është përdor si “poligon i manovrave politike të Serbisë.”

Ndërsa, shtoi se ndër vite, edhe në Kosovë veriu është menduar i tregtueshëm.

“Veriu i Kosovës u përdor si poligon i monovrave ultapolitike të Serbisë në dëm të komunitetit serb në Kosovë dhe hapësirë e politikanëve diletantë dhe profiter të cilët jashtë ligjshmërinë e veriut e shfrytëzuan për përfitime të ulëta. Për disa vite më radhë edhe në Kosovë veriun e menduan si të tregtueshëm”- deklaroi ai në Kuvend.

Sipas Kusari – Lila, veriu “ishte pjesë e vendit që ngjalli apetite për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, në dëm të Kosovës”.

Teksa foli për situatën aktuale në veri, Kusari – Lila tha se asnjë veprim nuk është bërë në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

“Prej nëntorit 2022 e deri tani, as edhe një veprim i vetëm nuk u bë në kundërshti me ligjet dhe kushtetutën e vendit. Çdo hap dhe veprim ishte ashtu sikur duhet të jetë për çdo pëllëmbë të Kosovës”- shtoi ajo.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë për situatën në veri të vendit dhe raportet e Kosovës me SHBA-në.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.