Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila: Nuk ka deputetë nga grupi i LVV-së që duan të dalin në një grup tjetër parlamentar

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila ka thënë se nuk ka numër të deputetëve nga grupi parlamentar i LVV-së që duan të dalin në një grup tjetër parlamentar.

Në një prononcim për KALLXO.com, Kusari Lila ka mohuar të ketë deputetë që duan të ndërrojnë grup parlamentar dhe të kalojnë tek një tjetër.

“Jam e bindur që kjo është një deklaratë spekulative komplet që nuk ka numër të deputetëve nga grupi parlamentar i Lëvizjes që duan të dalin në një grup tjetër parlamentar. Nuk ka asnjë atmosferë e cila mundet me u karakterizu ose me e definu këtë si të saktë”, ka deklaruar Kusari- Lila.

Duke iu referuar deklaratës së shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili mbrëmë tha se Qeveria Kurti 2 mund të rrëzohet në vjeshtë dhe se ka deputetë të koalicionit qeverisës që duan të kalojnë në grupin e tij parlamentar, Kusari-Lila këto deklarata i quajti “spekulime të mëdhaja”.

“I ka bo dy pasaktësi dhe dy spekulime të mëdhaja. E para është në numrin e deputetëve. E dyta, ka dhënë afat të kohës për rrëzim të Qeverisë që i konsideroj të dyjat për arsye që ai mundet me tregu pse i ka bo”, tha Kusari Lila për KALLXO.com.

“Deputetët bile veçantë, edhe ata që potencialisht janë etiketu prej mediave për mundësinë e daljes kanë ardh sot në baza vullnetare, janë deklaru ose edhe kanë reagu publikisht që nuk qëndrojnë këto argumente të zotëri Gashit”, shtoi ajo.

Për pretendimet se deputetë të Listës Guxo potencialisht mund të kalonin në LDK, Kusari Lila tha se edhe vetë deputetët kanë deklaruar se ajo çka është prezantuar në media nuk qëndron e saktë.

“Jemi pyet prej mediave për deputetë të Listës Guxo. Para se me ndodhë kjo pyetje, mua më erdhën reagimet e vetë deputetëve të Listës Guxo të cilët u deklaruan që ajo se çka është prezantu në media nuk qëndron ose të paktën tek ata nuk rasti i tillë”, theksoi shefja e grupit të LVV-së.

Më tej, pas deklaratës së Gashit që brenda të LVV-së ka keqkuptime, Kusari Lila thotë se grupi parlamentar i saj funksionon mbarë pavarësisht mendësive të ndryshme qoftë politike, qoftë shoqërore.

“Ne kemi pasë dallime në mendime, ajo ka qenë edhe publike por, natyra e funksionimit të grupit është që çdo gjë funksionon mbarë. Ne jemi 59 deputetë që ish dashtë me qenë imagjinare me besu që të gjithë kemi qenë në një mendësi. Normal që vijmë prej mendësive të ndryshme qoftë politike, qoftë shoqërore”, u shpreh ajo.

“Ekziston kolegjialiteti , fryma e bashkëpunimit, demokracia, shprehja e mendimit ndryshe dhe mendoj se këto janë të gjitha vlera të cilat do të vazhdojmë me i kultivu dhe me i mbajtë por, grupi si i tillë nuk ka asnjë rrezik që mundet me pasë lëvizje të natyrës që çfare i ka prezantu zotëri Gashi mbrëmë”, ka thënë ndër të tjera pë KALLXO.com Kusari Lila.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, mbrëmë ka deklaruar se të paktën tetë deputetë nga koalicioni qeverisës, kanë shprehur interes që të kalojnë në LDK.

Këtë Gashi e kishte thënë në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

“Ka plot indikacione, ka lëvizje e interesime të deputetëve që të vijnë në grupin parlamentar të LDK-së. Janë të paktën tetë deputetë që kanë shpreh interes”, ka thënë Gashi.

Ai tha se ka pakënaqësi mes deputetëve të LVV-së dhe se në vjeshtë do të shohë ngritje të opozitarizmit.