Kusari – Lila: Nuk heqin dorë nga ndryshimet e Projektligjit për Zgjedhje

U. D. e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, pas seancës së të Kuvendit, tha se me mosvijimin për ndryshime të Projektligjit për Zgjedhjet, u është mohuar e drejta elementare mërgatës. Ajo ka komentuar edhe deklarimet e shumta të opozitarëve që e quajtën pozitën me mendësi totalitare, duke thënë se dështimi i tyre për t’i garantuar mërgatës të drejtën për votë, nuk mund të mbulohet e arsyetohet me totalitarizëm.

“Ne do të vazhdojmë me këtë iniciativë, kjo natë ishte vetëm një mbi-votim”, tha Kusari – Lila, duke shtuar se me këtë nismë nuk përfundon reforma zgjedhore, por fillon ajo.

“E ritheksoj se as Qeveria dhe LVV nuk i ikin përgjegjësisë por do të vazhdojmë”, tha ajo.

Kusari – Lila, ka thumbuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se kushtëzimi i zgjedhjes së presidentit me kushtim për të tërhequr një projektligj që garanton të drejtën e mërgatës, është i padrejtë dhe tregon në fakt se kush është kushtëzuesi.

Ajo tha se ligji nuk është kontrabanduar, sikur pandehën opozitarët, duke konsideruar se nenet specifike të projektligjit ishin për diskutim.

“Procesi i kaloi të gjitha fazat që nga qeveria dhe ishim në pritje për një të drejtë për votim për mërgatën”, tha ajo.

Kusari – Lila, tha se nuk do heqin dorë nga ndryshimet në Projektligjin e vënë në diskutim sonte vonë në Kuvend, porse ai tashmë do t’u nënshtrohet procedurave të rregullta dhe jo siç ndodhi sonte kur dështoni për të kaluar në shqyrtim nëpërmes procedurave të përshpejtuara, për çka nevojiteshin 2/3 e votave të deputetëve.

Ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, ka paralajmëruar se ditëve në vijim, madje shumë shpejtë, do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit dhe “presim nga deputetët që të kryejnë obligimin e tyre”, ka shtuar ajo, duke thënë se “këtë e kanë obligim kushtetues”.