Kusari-Lila në Paradën e Krenarisë: Po festojmë një të drejtë që nuk duhet të kontestohet në shoqëri

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka filluar mbajtja e Paradës së Krenarisë.

Pjesëmarrëse në këtë paradë është parë edhe shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se sot po feston lirinë dhe dashurinë e cila sipas saj është e drejtë e cila nuk duhet të kontestohet në shoqëri.

“Sot është dita me e festu lirinë e dashninë, me qenë të vetëdijshëm për një të drejtë e cila jo që duhet me ju mohu por as me u kontestu në shoqërinë tonë të gjithë personave, homoseksual, lesbian, transgender për arsye se shoqëria jonë duhet me kuptu që çdo gjë që është pjesë e qenies njerëzore dhe natyrisht e lirisë elementare nuk është për t’u cenuar“, është shprehur Kusari Lila.

Ajo gjithashtu foli edhe për mos kalimin e Projektkodit Civil në Kuvendin e Kosovës për të cilin tha që shpreson që nuk do të përsëritet më.

“Ajo çka ka ndodhë në parlamentin e Kosovës shpresoj që të mos përsëritet në kuptimin e procesit i cili duhet të rregullojnë një të drejtë tjetër legjitime për të qenë bashkë në një qoftë union civil apo në një martesë të personave të gjinisë së njëjtë “, deklaroi Kusari Lila.

Tutje ajo njoftoi se paradës do t’i bashkëngjiten e pjesëtarë të LVV-së por edhe ministrat.

“Do të vijnë edhe të tjerët. Kam informacione që edhe ministrat do të marrin pjesë, ma merr mendja që kjo është një ditë që bashkë me të gjithë të tjerët duhet të ju tregojmë qytetarëve që nuk po bëjmë asgjë por vetëm se jemi bashkë për të festuar dashurinë dhe lirinë”, tha Kusari Lila.

Po ashtu, pjesëmarrës në këtë paradë ka qenë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.

Hovenier ka thënë se pjesëmarrja e tij është me qëllim që të tregohet mbështetja për komunitetin LGBTIQ+.

“Jemi këtu për të treguar mbështetjen për komunitetin LGBTIQ+, sepse mendojmë që këto janë të drejta të njeriut”, ka thënë ai duke shtuar se shpreson që sot ai nuk do të jetë storja e ditës, por do të jenë pjesëmarrësit e tjerë.

Java e Krenarisë ka filluar më 6 qershor dhe do të përfundojë sot.

Në njoftim për këtë tubim është thënë se do të fillohet në orën 11:00 në Sheshin “Skënderbeu”.

Më pas, në orën 12:00 është planifikuar të fillojë ecja drejt Katedrales dhe të përfundojë tek platoja e Pallatit të Rinisë me një fjalim që adreson mesazhin e Javës së Krenarisë për këtë vit.

“Parada do të përmbyllet më një koncert”, është thënë ndër të tjera në njoftim.

Në edicionin e saj të 6-të , “Java e Krenarisë”, nëpërmjet sloganit “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE” synon të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+ si në shtet, ashtu edhe në familje.

Në anën tjetër, gjatë ditës njësiti me qen i Policisë së Kosovës, K-9 ka kontrolluar sheshin në Prishtinë para fillimit të mbajtës së Paradës së Krenarisë.