Liqeni i Badovcit, FOTO: KALLXO.com

Kusari-Lila: Ndërtimet rreth liqenit të Badovcit duhet të ndalen menjëherë

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas publikimit të një projekti për ndërtimin e një lagje me shtëpi në afërsi të liqenit të Badovcit.

Kusari-Lila ka theksuar se këto ndërtime duhet të ndalen menjëherë.

“Duke shpresuar se njëherë do të jemi edhe ne shtet normal dhe duke mos dashur të shohim demolime të tilla, ndërtimet duhet të ndalen MENJËHERË!”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

Më tej, ajo ka thënë se abuzimet në Kosovë me lumenj kanë eskaluar.

Deputetja Kusari-Lila ka shtuar ky abuzim ka filluar me liqenin e Radoniqit dhe po synohet të vazhdohet edhe me liqenin e Badovcit.

“Në një shtet ku sundon ligji hapësirat e uzurpuara rreth liqenit lirohen. Abuzimet në Kosovë me lumenj kanë eskaluar në format më banale të mundshme, ndërsa rreth liqeneve kanë filluar me liqenin e Radoniqit e tash po synohet të vazhdohet me Badovcin”, ka përfunduar Kusari-Lila.