Kusari – Lila: LVV nuk e mbështet tërheqjen e mjeteve nga Trusti

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, është shprehur kundër propozimit për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet tërheqjen e mjeteve të Trustit.

Deputetja Kusari – Lila ka thënë se tërheqja e mjeteve nga Trusi do të ndikojë në ngritjen e mëtejme të çmimeve dhe rrezikon mirëqenien e moshës së tretë të qytetarëve.

“Janë 695 mijë kontributdhënës, në rast të tërheqjes, shuma do të jetë rreth 600 milionë euro, 594 milionë euro, 90 % kanë kursime më të ulët se 10 mijë euro dhe nga ta, 337 mijë do të tërheqin nga 96.5 euro”, tha ajo.

Sipas saj, ndikimi për ata në nevojë është minimal ndërsa do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e çmimeve.

Kuvendi sot po e diskuton mundësinë e tërheqjes së TRUST-it. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në cilësinë e iniciuesit e ka prezantuar sot në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensionale të Kosovës.