Mimoza Kusari Lila në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, 17 janar 2022

Kusari-Lila: Kuvendi fillon sesionin e rregullt pranveror më 20 janar

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar që është vendosur që fillimi i punimeve të rregullta në Kuvend për sesionin pranveror është data 20 janar.

“Në rend të ditës janë votime të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shqyrtime të projektligjeve. Do të jetë edhe debati parlamentar për rritjen e çmimeve”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo gjithashtu tha se planifikohet që me përfundimin e seancës së re, të vazhdojnë me pikat e papërfunduara në sesionin e përmbyllur vjeshtor.

Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të Serbisë dhe deklaratës së ministrit serb në Kosovë Goran Rakiq, Kusari-Lila tha se reciprociteti si koncept bëhet mes dy shteteve dhe jo mes dy etnive.

“Si koncept i tillë në kuadër të territorit të Republikës së Kosovës nuk mund të bëhet. Votimi për zgjedhje qofshin parlamentare apo referendum, për to ekzistojnë metoda se si mbahen”, ka deklaruar Kusari Lila.

Për pjesëmarrjen e opozitës në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të shtunën, Kusari Lila tha se “është për t’u përshëndet edhe qëndrimi i opozitës dhe është një shembull i mirë për ndërtimin e konsensusit, të gjithë jemi bashkë”.

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se pozicioni i AAK-së ditën e shtunë ka qenë parimor dhe se veprimi i deputetëve në seancë ka qenë obligim.

“Kur është thelbësor interesi i shtetit të Kosovës nuk do të bëjmë opozitë. Menaxhimi i situatës është shumë i dobët. Është politikë para aktit të kryer. Çka nuk duhet të bëjmë është kur në seancë  kur flitet për interes të Kosovës nuk duhet të ketë debat”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu tha se Qeveria do të duhej të bëjë shpjegim për opinionin e brendshëm dhe shpjegim përmbajtjesorë për opinionin e jashtëm për ndërkombëtarët.