Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila kërkon nga PDK të tërheqë rezolutën që synon shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari

Shefja e grupit parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës tërheqjen e rezolutës përmes të cilës kërkohet shkarkimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Sipas Kusari Lilës, rezoluta nuk ka bazë kushtetuese dhe vlerë përmbajtjesore në raport me materialin që prezanton.

“Të nderuar deputetë, përmirësimi i ambientit për biznes, ka qenë puna, angazhimi dhe fokusi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Andaj ju inkurajojë që të shqyrtoni dhe të tërhiqeni këtë rezolutë e cila nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe asnjë vlerë përmbajtjesore në raport më materialin që e prezanton” – u shpreh ajo.

Në kundërpërgjigje të deklaratave të deputetit të PDK-së, Ferat Shala, Kusari-Lila tha se në kohën e bashkë-koalicionit qeverisës PAN (PDK, AAK dhe Nisma), MINT është abuzuar e keqmenaxhuar.

“Me dëgju dikush atë fjalim, deputeti Shala, kryetari i Komisionit për Ekonomi, që e di, që jeni në rrjedha të ngjarjeve ekonomike dhe me thanë që asnjëherë më shumë në MINT nuk ka pasë skandale duke marrë parasysh që keni qenë në koalicion në PAN dhe ajo ministri, jo që është keqmenaxhu, por është abuzu skajshmërish me krejt çka ka qenë për tu abuzu, e gjallë e vdekur aty brenda” – tha ajo.

“Tash me nxjerrë dhe me kërku atë se çka ju mendoni që po bëhet përtej punës së mirë të ministres Hajdari është për çudi. Është e pa imagjinueshme në rrethanat kur keni qenë bashkëqeverisje dhe i keni pa dhe tash vjen dhe thua nuk ka ndodhë më herët. Si po keni mundësi me i pasë të gjitha informatat tjera për gjithë sektorët tjerë dhe s’po i keni për periudhën kur keni bashkë qeverisë” – shtoi Kusari -Lila.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon seancë, ku si pikë e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes të cilës PDK si propozuese po kërkon shkarkimin e ministres Hajdari.

PDK edhe në seancat e kaluara pati deklaruar se nuk votojnë për ligje që vijnë në Kuvend nga Ministria që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari pas dënimit të saj për mosdeklarim të pasurisë.

Ferat Shala: Ministrja Hajdari gjatë këtij mandati ka shënuar dështime dhe skandale