Kusari- Lila ka disa fjalë për Vjosa Osmanin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila i ka dalur në krahë, kryeparlamentares, Vjosa Osmani, pas shkarkimit nga pozitat udhëheqëse të LDK-së.

Kusari përmes një postimi në Tëitter i tha Osmanit të vazhdojë të qëndrojë ajo që është.

“Ajo që nuk mund të të vrasë, të bën më të fortë, Qëndro ashtu si je dhe vazhdo të shkëlqesh për për të gjithë ata që të shikojnë Vjosa Osmani”, ka shkruar ajo.

Vjosa Osmani u shkarkua sot nga pozitat udhëheqëse të LDK-së, me propozim të kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa.

Për shkarkimin e saj votuan 70 anëtarë, 16 kundër dhe 9 kanë abstenuar.

Ndërsa, me shkarkimin e Osmanit, në pozitën e saj është vendosur, kryeministri, Avdullah Hoti.

Osmani deri tani ka qenë nënkryetare e LDK-së dhe anëtare e kryesisë së kësaj partie. Ajo po ashtu ka qenë edhe kandidate për kryeministre nga kjo parti në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ajo kohëve të fundit ka qenë kundërshtare e zëshme për prishjen e koalicionit me LVV-në dhe formimin e qeverisë aktuale me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe, e cila nuk mori pjesë as në votimin e kësaj qeveri.

Kurse, më 11 qershor në emisionin “Jeta në Kosovë”, ajo nuk e pati përjashtuar mundësinë e formimit të një partie të re.

“Lidhja e re do të duhet të jetë lidhje e secilit  njeri që beson në Kosovën që nuk e udhëheqin qoftë kapësit e shtetit, qoftë ata që u shërbejnë kapësve të shtetit që fshihen në lëkurë të qengjit. Çka duhet të them se tani më qartë se çdo herë më parë dihet se kush janë ata që e dëshirojnë luftimin e kapjes së shtetit e kush janë ata që nuk e dëshirojnë”, tha ajo përballë Jeta Xharrës.

Vjosa Osmani nuk e mohon formimin e një “Lidhjeje të re”

.