Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari Lila: Janë bërë mbi 13 mijë aplikime për shtesat për gratë lehona dhe shtesa të fëmijëve

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, tha se vendimi i Qeverisë për shtesat për lehonat të pa puna në vlerë prej 170 euro për gjashtë muaj dhe ato të punësuara në vlerë të njëjtë për tre muaj, është vendim i cili ndihmon familjet e reja dhe siguron që parametrat demografik mos të kalojnë në negative.

Kusari Lila tha se interesimi për aplikim është i madh, dhe se deri tani kanë aplikuar mbi 13 mijë persona.

“Interesimi është i madh vetëm në javën e parë pas njoftimit dhe fillimit të aplikimit prej të hënës deri të premten aplikimet janë 13 mijë e 180 prej të cilave 1 mijë e 501 mbështetje për gra lehona dhe 11 mijë e 679 shtesa për fëmijë”, tha ajo.

Kusari – Lila ka shprehur ngushëllime për familjet që humbën të dashurit e tyre nga COVID-19, në emër të grupit të saj parlamentar.

Ajo tha se gjithë gëzimi dhe angazhimi i familjarëve në ahengje familjare, fatkeqësisht për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve doli të jetë me pasoja për jetën e tyre.

Sipas saj shumica e viktimave nuk ishin të vaksinuar.

“Mbi 1 milion qytetar të vaksinuar dhe mbi 35 për qind qytetar të moshës madhor të vaksinuar me dy dozat duhet ta kemi të qartë se normalizimi nuk mund të arrihet nëse nuk e kalojmë 60 për qind të vaksinuar me dy dozat e vaksinës. E domosdoshme mbetet vaksinimi”, tha ajo.