Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila i përgjigjet PDK-së: Vendimi i Kuvendit për rrymën është në përputhje me ligjin

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar sot në Gjykatës Kushtetuese çështjen e pagesës prej 11 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimin e Kuvendit që i hapi rrugë pagesës së energjisë elektrike prej 11 milionë eurove, deputetja e PDK-së, Blerta Deli-Kodra e ka quajtur kundërkushtetues.

Por deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarja e Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila ka thënë për KALLXO.com, se vendimi i Kuvendit të Kosovës është në përputhje me ligjin.

“Vendimi i Kuvendit është në përputhje me ligjin dhe vendimi i Kuvendit është ushtrimi i të drejtave të aksionarit, sipas statutit dhe ligjit, për energjinë elektrike”, ka theksuar Kusari – Lila.

Deputetja Kusari – Lila ka deklaruar se aksionar i KOSTT-it është Kuvendi i Kosovës.

“Sipas Statutit të KOSTT, pronari i aksioneve: 100% Republika e Kosovës. Sipas Ligjit për energjinë elektrike nr.05/L-085 të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës”, është shprehur ajo.

Më 6 maj, Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, i ka miratuar rekomandimet e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar, por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Këtë do ta bëjë duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, pra këto mjete do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

Paraprakisht, në mbledhjen e 28 prillit, me 6 vota për dhe 3 kundër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kishte miratuar propozimin e deputetes Mimoza Kusari – Lila, që në 6 muajt e ardhshëm, KOSTT të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Gjatë muajit të kaluar KOSTT kishte kërkuar 11 milionë euro për mbulimin e energjisë së shpenzuar dhe jo të paguar në Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna u është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike.

Energjia elektrike e shpenzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kap shumën prej 12 milionë eurove. Që nga paslufta deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës, ku faturat e tyre ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe, është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020, ka aplikuar për licencim.

“Të gjitha dokumentet që kërkohen me Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë janë dorëzuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Edhe pse kanë kaluar rreth 4 muaj që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar për shkak se bordi i ZRrE-së është jofunksional.

“Sa i përket kritereve dhe përmbajtjes së dokumenteve ato duhet të shqyrtohen edhe nga Bordi i ZReE-së, i cili akoma nuk është funksional. Nga aspekti administrativ dosja do të jetë e gatshme, por i përket Bordit të vendos për prioritetet dhe Agjendën e seancave të tij”, vazhdon përgjigjja e ZRrE-së.

Qeveria Kurti 2 ka shpallur konkurs për zgjedhjen e dy anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të ZRrE-së. Ata nuk kanë vazhduar me emrat që ishin propozuar në Qeverinë e kaluar.

Nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në mënyrë të kundërligjshme Serbia ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit dhe konsiderohet se ka grumbulluar rreth 65 milionë euro të hyra.

Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë. Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetik, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.