Kusari- Lila: Fshirja e emrave të votuesve shqiptarë në Luginë të Preshevës, është akt barbarë nga Serbia

Kryetarja e grupit parlamentar, Mimoza Kusari Lila ka folur për procesin zgjedhor të Serbisë i cili u mbajt me 3 prill, duke thënë që fshirja e rreth 6 mijë emrave dhe adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nga regjistri i votuesve, është akt barbarë.

“Serbia nuk e ka për qëllim lehtësimin e pakicave serbe në Kosovë, Serbia në fakt e ka specialitet vështirësimin e jetës së pakicave. Procesi zgjedhor në Serbi solli në pah fshehjen e 6 mijë emrave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nga regjistri i votuesve. Fshirja e emrave është akt barbarë, i barabartë me dëbimin e tyre apo spastrimin etnik të ndodhur me forcë me dekada me radhë”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se Kosova si një vend demokratik i njeh dhe i respekton dy shtetësitë e qytetarëve.

“Kosova si një vend me demokraci e cila i njeh dhe respekton dy shtetësitë e qytetarëve të vetë”, deklaroi Kusari Lila.

Kusari Lila gjithashtu shtoi se roli dhe përgjegjësitë e Kuvendit shihen me sy kritik, por që sipas saj ndodhin veprimet si 15 janarit kur u votua për mos lejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

“Shpesh herë roli dhe përgjegjësitë e Kuvendit shihen me sy kritik, pastaj ndodhin veprimet si ai i 15 janarit kur partitë parlamentare bëhen bashkë. E përcjellin këtë artikulim edhe në votimin që i dha Qeverisë të mos e lejojë mbajtjen e referendumit në Kosovë. Ne qëndruam të vendosur në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit. I qëndruam besnik Kushtetutës së Kosovës”, tha ajo.

“Ne do të donim që shteti fqinj të ishte demokratik por rezultati zgjedhor në Serbi, na tregon se demokracia është ende një destinim i largët për ta. Deri në atë kohë askush të mos dyshojë që Qeveria dhe institucionet e saj do dëshmojnë konsistencë bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e saj” shtoi Kusari Lila.

Për fshirjen e emrave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka reaguar edhe Euro deputetja dhe raportuesja për Kosovën për Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke e quajtur të papranueshme veprimin e institucioneve shtetërore serbe.

Fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Viola von Cramon e quan të papranueshëm