Kusari-Lila: E domosdoshme që 54 projektligjet e mbetura të përmbyllen në këtë legjislaturë
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të enjten, më 10.10.2024, të zhvillojë një seancë me fillim prej orës 11:00. Në rend të ditës do të trajtohen pikat e papërfunduara të seancave të kaluara.
Kështu njoftoi shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
“Kryesia vendosi që më 10.10.2024, në ora 11:00 të vazhdojmë me seancë që do të trjatojë pikat e papërfunduara nga seancat paraprake, më konkretisht seancat të cilat ishin hapur gjatë muajit shtator dhe nuk kanë arritur të mbyllen si rrjedhojë e mospjesëmarrjes në votim apo mos plotësimit të kuorumit për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe votimeve tjera të cilat ishin të caktuara”- ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila theksoi se është e domosdoshme që 54 projektligjet që janë në mes të dy leximeve, të përmbyllen në këtë legjislaturë.
Në lidhje me largimin e dy deputetëve, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, Kusari- Lila tha se ata kanë qëndrime kundër për disa projektligje, porse për të tjerat do të marrin pjesë në votim.
“Zyrtarisht Grupi Parlamentar i LVV-së i ka 54 deputetë dhe tetë deputetë janë nga Grupi Multietnik, që i bie numri total është 62 deputetë. Ne zakonisht kur kemi pasur mungesë të kuorumit ka ardhë si pasojë e mospjesëmarrjes në votim për cështje të caktuar të deputetëve që kanë qenë në sallë apo mungesës fizike. Nuk parashohim diçka më dramatike në javën në vijim. Uroj që me nivelin e njëjtë të mobilizimit të hyjmë në një periudhë më dinamike para përmbylljes së sesionit vjeshtor. Është e domosdoshme që 54 projektligje që janë në mes të dy leximeve, të përmbyllen në këtë legjislaturë. Në rast se projektligjet nuk trajtohen në lexim të dytë ato kthehen në pikën 0 me përmbylljen e legjislaturës”- ka deklaruar ajo.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica nga data 01.10.2024 nuk janë më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një konferencë për media, Rrahmani ka deklaruar se po bashkohen në “Listën për familjen”.
Me këtë rast, ai i ka listuar disa nga pakënqësitë që i ka pasur në disa projektligje që janë dërguar në Kuvend, ndër to Kodi Civil dhe Projektligji për shëndetin riprodhues me fertilizim.
“Kodi Civil që me disa dispozita të tij cenon familjen tradicionale, Projektligji për shëndetin riproduktiv që tenton të legalizojë fertilizimin me ‘donim’ pa identitet të njohur që dërgon edhe në incest e mos të flasim edhe për cenime të familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në Projektligjin për gjendjen civile, madje edhe tek fëmijët dhe shumë aktivitete të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arsimit na kanë obliguar të bashkohemi dhe të mendojmë e veprojmë rreth angazhimit politik për familje”- tha Rrahmani.
Eman Rrahmani dhe Visar Korenica ndajnë rrugët me LVV-në, i bashkohen “koalicionit për familjen”