Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila: Deklaratat e liderëve opozitarë pas shtyrjes së vendimit të japin bindjen se po pritnin një dështim

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila në seancën e Kuvendit ka folur në lidhje me situatën që u krijua në veri të Kosovës një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë për reciprocitet me Serbinë.

Kusari Lila u shpreh se deklaratat e liderëve opozitare pas vendimit të përbashkët për shtyrje, sipas saj të krijojnë bindjen se ata po prisnin një dështim të ndodhte.

“Deklaratat e menjëhershme të udhëheqësve të partive opozitare në Kosovë pas vendimit të përbashkët për shtyrje se kinse veprimi nuk ishte i koordinuar me faktorin ndërkombëtar, se veriu është i pa menaxhueshëm apo se shteti nuk është eksperiment, të krijojnë bindjen se ata po prisnin një dështim të ndodhte dhe këta do të kishin mundësinë të na tregonin se Qeveria e Presidenca nuk e dinin se çka po bënin”, ka deklaruar Kusari Lila.

“Për më pak se 24 orë pasi u dhanë këto deklarata dhe u refuzua pjesëmarrja në takim me presidenten, kemi demantin nga ambasadori amerikan në Kosovë se çdo gjë ishte e koordinuar dhe e komunikuar me ta nga ana e Qeverisë”, shtoi ajo.

Megjithatë, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, ka falënderuar pozitë e opozitë për punën dhe besimin në demokraci.

“Unë dua të falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit, pozitë e opozitë për punën dhe besimin në demokraci. Vetëm me fokus të qartë dhe mision të drejtë e avancojmë vendin dhe forcojmë demokracinë”, tha Kusari Lila.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi të Qeverisë së Kosovës që qytetarët e Serbisë të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugët për në pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç bllokimit të rrugëve, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në natën e 31 gushtit kishte pasur sulme me armë ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa disa qytetarë është raportuar se janë lënduar nga persona të maskuar dhe të pajisur me armë të gjata.

Qeveria e Kosovës pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, ishte zotuar që të shtyhet për 30 ditë zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit, nga momenti kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.