Kurz takohet me Lajçak, flasin për dialogun Kosovë - Serbi

Kancelari austriak, Sebastian Kurz është takuar sot me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ndër të tjera kanë folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Kurz përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se kanë diskutuar me Lajçkun se dialogu duhet të fillojë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Ata po ashtu kanë biseduar edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Gjithmonë mirë për t’u takuar me Miroslav Lajçak. Ne diskutuam dialogun Beograd – Prishtinë dhe nevojën për të filluar negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Unë rikonfirmova angazhimin e fortë të Austrisë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka shkruar Kurz më tej.

Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt dhe pritet që të fillojnë në qershor.

Procesi i dialogut Kosovë – Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.