Kurti: Zv/kryeministri italian rikonfirmoi mbështetjen për paqen dhe sigurinë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike mbrëmjen e së shtunës me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Kurti ka shkruar në Twitter, se diplomati italian rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për paqen dhe sigurinë në Republikën e Kosovës.

“Në një telefonatë mbrëmë, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për paqen dhe sigurinë në mbarë Republikën e Kosovës. E falënderova për kontributin e Italisë në zhvillimin, demokracinë dhe sigurinë tonë dhe e informova për situatën aktuale”, shkroi Kurti në Twitter.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshi niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Qytetarët serb sot u mblodhën në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut në shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapave që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023.Faza e dytë parasheh gjobë në vlerë 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.

Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Kryeministri Albin Kurti reagoi duke thënë se Beogradi ka nisur kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës.