Kurti: Zullumit të Serbisë mbi serbët në Kosovë është duke i ardhë fundi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë qëndrimin e tij lidhur me urdhrin e Serbisë që në shkollat shqipe të intonohet himni i Serbisë.

“Siç e ka thënë poeti ynë i famshëm Esat Mekuli, zullumi këputet prej së trashi andaj edhe ky zullum i shtuar i Serbisë që bëhet edhe vet mbi serbët në Kosovë është duke i ardh fundi sepse shteti i Kosovës është gjithnjë më demokratik, më i fuqishëm, më i pavarur e këtë e dëshmon edhe me reciprocitet karshi Serbisë” – tha Kurti.

Kryeministri ka shtuar se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i cili angazhohet për të gjithë qytetarët pa dallim gjithashtu edhe për shqiptarët në Serbi.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human përkundrazi sa më e dobët që është Serbia ndaj Kosovës aq më shumë po egërsohet ajo. Andaj edhe një lloj agresiviteti të shtuar të Serbisë duhet ta kuptojmë përbrenda dobësimit të saj në përgjithësi” – shtoi Kurti.

Sipas tij, qytetarët në Luginë janë të diskriminuar dhe sipas tij dëshmitarë për këtë ishte edhe delegacioni i Kosovës që ishte në vizitë atje.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci, e kanë  vizituar Luginën e Preshevës.