Kurti zotohet se qeveria do ta shtojë investimin për mbrojtje dhe siguri kibernetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij në hapjen e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutoheshin sulmet online dhe kërcënimet në sigurinë kibernetike, ka folur për veprimet e qeverisë në këtë drejtim.

Kurti tha se vitin e kaluar është themeluar një grup punues për sigurinë kibernetike me përfaqësim nga institucionet qeveritare, sektori privat dhe akademia.

“Vitin e kaluar kemi themeluar grupin punues për sigurinë kibernetike me përfaqësim të gjerë nga institucionet qeveritare, sektori privat dhe akademia. Grupi ka rol kshilldhënës për të ndihmuar në zbatimin e politikave të sigurisë kibernetike dhe rritjen e mbrojtjes e qëndrushmërisë së infrastrukturës kritike në Kosovë. Grupi shërben si forum për shkëmbimin e ideve mes sektorëve”- tha Kurti.

Ai deklaroi se mbrojtje e vendit në fushën e sigurisë kibernetike do mund të bëhet mes bashkëpunimit të të gjitha sektorëve dhe me vendet mike.

“Mbrojtjen efektive të vendit në fushën e sigurisë kibernetike do të mund ta bëjmë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet sektorit publik e privat, akademisë e komunitetit të gjerë të sigurisë kibernetike në vend si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me vendet mike“- u shpreh ai.

“Republika e Kosovës do ta shtojë investimin e saj, shpenzimin për mbrojtje e siguri, por edhe mbrojtja e siguria nuk janë të mbrojtura e të sigurta derisa nuk e kemi sigurinë kibernetike”- shtoi Kurti.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se është thelbësore që përmes bashkëpunimit të luftohet kërcënimi dhe të vazhdohet siguria e mbarëvajtja e epokës digjitale.

“Duhet të punojmë së bashku për të shfrytëzuar mundësitë që jep epoka e informacionit e po ashtu për tu përballur me sfidat e saj. Është me rëndësi thelbësore që të bashkohemi si komunitet të luftojmë këtë kërcënim dhe të vazhdojmë sigurinë dhe mbarëvajtjen e epokës digjitale. Drejtimi i kodimit, programimit pritet të jetë një ndër drejtimet kryesore të shkollës profesionale”- deklaroi Rama.

“Dua t’i shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e Ambasadës Amerikane, mbështetja e tyre ishte thelbësore për realizimin e kësaj konference”- tha mes tjerash i pari i Prishtinës.

Konferenca Ndërkombëtare “Cyber Zero” do të zgjasë për tri ditë në Kosovë.