Albin Kurti në takim me Gabriel Escobar/ Foto: ZKM

Kurti zhvillon takim “përgatitor” me Escobarin dhe Lajçakun, insiston në reciprocitet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së mërkurës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti e ka quajtur këtë takim përgatitor para takimit të 18 gushtit mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja.

Atyre u është bërë ftesa për dialog pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik.

Serbët e Kosovës kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar dy vendime për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Barrikadat janë hequr pas Qeveria ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator.

Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që ka në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”.

Ai ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.

I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka.

Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut.

Escobar, ndërkaq, ka thënë se SHBA mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ai ka thënë se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar takime me Lajçakun dhe Escobarin.

Më herët gjatë ditës Kurti dhe Vuçiq kanë takuar ndaras edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit/REL/.