
Albin Kurti dhe Klauk Luger - Foto: ZKM
Kurti zhvillon takim me kryetarin e Komunës së Linzit, Klaus Luger
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputeten Duda Balje, mirëpriti sot kryetarin e Komunës së Linzit në Austri, Klauk Luger.
Sipas komunikatës së Qeverisë, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje kryetarit Luger dhe falënderoi për raportet shumë të mira me komunitetin e shqiptarëve në komunën që ai drejton.
“Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit, me theks në fushën e ekonomisë, teknologjisë dhe edukimit, veçanërisht nëpërmjet mërgatës sonë në Austri” – thuhet në komunikatë.
Tutje, sipas komunikatës, Kurti e ka njoftuar Luger edhe për rezultatet dhe arritjet e qeverisjes dyvjeçare, për indikatorët ekonomikë në eksport dhe investime të huaja, dhe për progresin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Kryetari i Komunës së Linzit po qëndron në Kosovë në një vizitë dyditore, dhe krahas takimeve me përfaqësues të institucioneve, po viziton edhe disa kompani të ndryshme private.
Në vitin 2021, Komuna e Podujevës dhe Komuna e Linzit kishin nënshkruar marrëveshje të binjakëzimit.