Kurti zhvillon disa takime në Britani

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Britani ka zhvilluar një sërë takimesh.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është takuar me ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikë, Christopher Pincher.

“Sot në kuadër të takimeve në qeverinë britanike takova Ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikë, z. Christopher Pincher. Biseduam për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ekonomik midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Falenderova Ministrin Pincher për mbështetjen e shtetit të tij dhe ndihmën për vendin tonë në luftë e në paqe, për liri e pavarësi, si dhe për zhvillim, siguri, drejtësi e demokratizim. Ai na uroi për rezultatin dhe suksesin në zgjedhjet e 6 tetorit dhe shprehu gatishmërinë e interesimin për të vazhduar e intensifikuar raportet midis dy shteteve tona me t’u formuar qeveria e re”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai po ashtu në Parlamentin britanik në Londër ka takuar edhe John Cryer, kryesuesin e Grupit Parlamentar të Laburistëve, Khalid Mahmood, ministër i Punëve të Jashtme në hije dhe Kastriot Berberin, këshilltar komunal në Waltham Forest.

“Diskutuam për marrëdhëniet e mira bilaterale midis dy vendeve dhe dy partive tona, situatën socio-ekonomike në Kosovë, për ndryshimet politike pas fitores sonë në zgjedhet e 6 tetorit, si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon Britania e Madhe lidhur me BREXIT-in. Ministri i Punëve të Jashtme në hije, z. Khalid shprehu vullnetin për bashkëpunim dhe për të përkrahur qeverinë e ardhshme në fushën e investimeve, tregtisë e drejtësisë, si dhe për të ndihmuar e përkrahur Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Kurti.