Foto:ZKM

Kurti zhvillon bisedë telefonike me Chollet

Kryeministri Albin Kurti sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Në një komunikatë për media është është bërë e ditur se biseda është zhvilluar si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të  rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.

Gjatë kësaj bisede, në njoftim thuhet se Kurti ka konfirmuar qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”- thuhet në kumtesë.

Sipas komunikatës, kryeministri ka falënderuar këshilltarin Chollet për mbështetjen gjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të Chollet personalisht.

Gjatë kësaj bisede, Chollet është njoftuar nga kreu i ekzekutivit kosovar që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, është shënuar njëvjetori i agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas.

Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për herë të parë do t`i kushtohet propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për RTK-në emisari i BE-së Mirosllav Lajçak, i cili ka potencuar se presin që zyrtarisht palët të deklarojnë nëse e pranojnë planin.

Sipas Lajçakut, plani në vete është Lëre ose Merre! .

Ai tutje ka theksuar se plani nuk do të negociohet, sepse vetë plani është i hartuar nga Bashkimi Evropian dhe palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim asnjë arsye as gjasa për negociata.