
Foto: ZKM.
Kurti: Walker do të jetë gjithmonë ambasadori i së vërtetës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim ambasadorin William Walker.
Zyra e Kryeministri ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi, Kurti e Walker kanë ndarë kujtimet e dhimbshme të së kaluarës, sfidat e shqetësimet e të tashmes dhe shpresat dhe besimet për të ardhmen.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti e ka falënderuar Walker-in për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, interesimin e përhershëm për Kosovën dhe gatishmërinë e plotë për të rrëfyer të vërtetën.
“Ambasadori Walker do të jetë gjithmonë ambasadori i së vërtetës. Populli shqiptar dhe historia do të jetë përherë mirënjohës për përshkrimin dhe shpalosjen e krimeve kundër njerëzimit dhe masakrën e Reçakut, krime këto që synoheshin të fshiheshin atëherë e që mohohen edhe sot nga krerët e po të njëjtit shtet ekzekutues” – thuhet njoftimin e ZKM-së.
Në shënim të 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Qeveria e Kosovës ka ndarë 70 mijë euro për librin e William Walker për masakrën e kryer më 15 janar të vitit 1999 dhe peshës historike të saj.
Ambasadori Walker ishte kreu i misionit versifikues së OSBE-së gjatë luftës në Kosovës, i cili alarmoi dhe tregoi të vërtetën për Masakrën e Reçakut.